Lidhje

Fermerët thonë se ndryshimet klimatike po dëmtojnë të korrat


Fermerët thonë se ndryshimet klimatike po dëmtojnë të korrat
Fermerët thonë se ndryshimet klimatike po dëmtojnë të korrat

Shkencëtarët nëpër botë parashikojnë se ndryshimet klimatike do të kenë ndikim shumë të madh në bujqësi në dekadat e ardhshme. Po ashtu edhe barërat e këqia dhe pesticidet, si dhe speciet që pritet të humbasin, prandaj lind nevoja e shtimit të prodhimit ushqimor për një popullatë që është në rritje. Shkencëtarët në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Bujqësore janë mes atyre që përpiqen t’u gjejnë zgjidhje këtyre problemeve.

Në një zonë malore tropikale në Kolumbi, fermeri me përvojë të gjatë i kafesë, Nelson Moreno, filloi kohët e fundit të kultivojë panxhar, sepse ai thotë se i duhet të përdorë kimikate të shtrenjta për të kultivuar si duhet kafenë.

"Moti ka ndryshuar shumë. Është vështirë të jetosh me këtë lloj nxehtësie”.

Fermerja Zoraida Mosquera, që punon po në atë zonë është dekord. Ajo thotë se temperaturat e larta i dëmtojnë të mbjellat, përfshirë edhe kafenë.

"Nëpër kooperativa, ajo blehet me cilësi të ulët”.

Jo shumë larg, fermeri Elias Claros Paz thotë se temperaturat e larta nuk janë problimi i vetëm.

"Ne kultivonim më parë domate, por e ndërpremë këtë aktivitet për shkak të barërave të këqia. Për të patur rendimente të mira ne duhet t’i spërkatim të mbjellat shtatë apo tetë herë me kimikate më të forta”.

Shkencëtarët thonë se kombinimi i temperaturave të larta dhe kultivimi i një lloj bime për një kohë të gjatë i shton problemet me barërat e këqia. Erick Fernandes është këshilltar për ndryshimet klimatike në Bankën Botërore në Uashington. Ai thotë se barërat e këqia dhe shtimi i përdorimit të insekticideve kanë efekte negative për tokën dhe burimet ujore.

"Vrojtimet në zonë sugjerojnë se në kushte ekstreme të motit, barërat dhe specjet e dëmshme janë në rritje”.

Në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Bujqësore në Kali, shkencëtari Andy Jarvis drejton programin e ndyshimeve klimatike dhe të normativave. Ai thotë se shkencëtarët e institutit po punojnë për përmirësimin e rendimentit të mbjelljeve, kryesisht nëpërmejt modifikimeve gjenetike.

"Për shembull, fasulet janë mjaft delikate ndaj nxehtësisë dhe thatësirës, prandaj ne po shikojmë variante të ndryshme për të bërë modifikime të tilla gjenetike në mënyrë që bimët t’u përshtaten sfidave të së ardhmes”.

Por Erick Fernandes i Bankës Botërore thotë se jo të gjithë i pëlqejnë prodhimet e modifikuara gjenetikisht, prandaj duhen eksploruar edhe opcione të tjera.

Fernandes thotë se krijimi i parcelave me hije, rotacioni i mbjelljeve dhe ruajtja e një balance mjedisore mund të zbutin ndjeshëm efektet e ndryshimeve klimatike. Fernandes dhe Jarvis janë dakord se shtimi i popullatës përbën sfidën më serioze dhe ende mbetet shumë për t’u bërë në përballimin e saj.

Edhe Qendra Ndërkombëtare e Bujqësisë Tropikane thotë se po bën kërkime në Afrikë dhe Azi, si dhe ka filluar një program disa miliona dollarësh për t’ia përshtatur bujqësinë nëpër botë ndryshimeve klimatike.

XS
SM
MD
LG