Lidhje

Shkëputja e ishullit të akullt ringjall debatin e ngrohjes globale


Shkëputja e ishullit të akullt ringjall debatin e ngrohjes globale
Shkëputja e ishullit të akullt ringjall debatin e ngrohjes globale

Valët e të nxehtit, thatësirat dhe përmbytjet kanë ndodhur në pjesë të ndryshme të botës javët e fundit dhe tani shkencëtarët thonë se një ishull prej akulli me sipërfaqe 250 kilometra katrorë është shkëputur nga një akullnajë në Grinlandë. Disa po thonë se një gjë e tillë është shkaktuar nga ngrohja globale, ndërsa të tjerë thonë se thyerje të tilla në akullin e Arktikut janë diçka normale.

Ishulli prej akulli që u shkëput nga akullnaja Peterman e Grinlandës është katër herë më i madh sesa ishulli i Manhatanit në Nju Jork. Xhim Shiana i Qendrës Kombëtare amerikane të Akullit i tha Zërit të Amerikës se një shkëputje e tillë është diçka e zakonshme në Arktik.

“Ka nga 10 deri në 40 mijë të tilla që ndodhin gjatë vitit në rajonin e Arktikut. Në këtë rast janë përmasat që e bëjnë të pazakontë”.

Dhe masa e ajsbergut i shqetëson disa njerëz, si për shembull aktivisten e shoqatës Greenpreace Melanie Duchin.

“Mendoj se ky është një tregues tjetër në masën e të dhënave që tregon se ndryshimi i klimës po ndodh”.

Shkencëtarët thonë se nuk mund ta konfirmojnë nëse shkëputja e akullit është shkaktuar nga ngrohja globale për shkak të mungesës së informacionit. Vetëm në vitin 2003, filloi ruajtja e të dhënave për ujin rreth akullnajës.

Dhe profesori i shkencës oqeanike, Andreas Muenchow thotë se vite mbledhjesh të dhënash për vetë akullnajat tregon se pas asaj që ndodhi këtë muaj, masa e akullit është e palëvizshme dhe mesatarisht derdh të njëjtën sasi uji zakonisht, rreth 600 milionë metra kub në vit, ose rreth 220 mijë pishina me përmasa olimpike.

“Edhe një akullnajë kaq e madhe në 50 vjet nuk ka ndonjë peshë të madhe. Është ritëm normal”.

Muenchov i paralajmëron njerëzit që të mos nxitojnë për të nxjerrë përfundime.

“Sapo ndodh një ngjarje e tillë vihet alarmi dhe thuhet ‘le ta shpjegojmë këtë me ngrohje globale.’ Unë nuk mund ta mbështes një gjë të tillë”.

Megjithatë, ligjvenësi Ed Marki, kreu i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për ngrohjen globale thotë se të dhënat në përgjithësi janë shqetësuese.

“Shkencëtarët na kanë paralajmëruar se ndryshimi i klimës do të rezultojë në shtimin e shkrirjes së akullnajave dhe akullit polar, valë të nxehti më të shpeshta dhe më të forta dhe zjarre, si edhe thatësirë dhe përmbytje”.

Dhe njerëzit po përjetojnë kushte të jashtëzakonshme moti në gjithë botën, që nga zjarret në Kaliforni, thatësira në Rusi dhe përmbytjet në Pakistan.

Por nëse kjo shkëputje e madhe akulli në Grinlandë është shkaktuar nga ngrohja globale, cili është ndikimi?

“Kur ato fillojnë të shërbëhen dhe copërat shkëputen, ato fillojnë të lëvizin me shpejtësi dhe ato bëjnë që më shumë akull të shkrihet nga shtresa e akullit e Grinlandës dhe kjo shkakton rritjen e nivelit të detit”.

Një rritje e nivelit të detit mund të gërryejë ngadalë brigjet në gjithë globin. Por ata që ndjekin ndryshimet në qendrën e akullit thonë se tani për tani nuk ka arsye për t’u shqetësuar.

“Bëhet fjalë për 250 kilometra katrorë dhe oqeanet janë rreth 361 milionë kilometra katrorë kështuqë bëhet fjalë për një përqindje fare fare të vogël”.

Shkencëtarët do të vazhdojnë të vëzhgojnë ishullin e akullt ndërsa afrohet me oqeanin. Por ata thonë se vetëm koha do ta tregojë nëse ai do të shkaktojë dëm dhe në çfarë përmasash.

XS
SM
MD
LG