Lidhje

Greqi: Papademos jep dorëheqjen, duke u hapur rrugë zgjedhjeve


Kryeministri teknokrat i Greqisë, Lucas Papademos, jep dorëheqjen sot, duke krijuar terrenin për zgjedhjet e para kombëtare që kur kriza e borxheve përfshiu qeverinë greke.

Zyrtarët qeveritarë thanë se zgjedhjet do të mbahen më 6 maj, por rezultati nuk është i sigurtë. Grekët kanë treguar pakënaqësi të thellë ndaj dy partive kryesore politike, socialistëve dhe konservatorëve të cilët mund të mos jenë në gjendje të fitojnë vota të mjaftueshme për të formuar një qeveri.

Koalicioni i tanishëm qeveritar plotësoi kërkesat e ndërkombëtarëve për të vendosur shkurtime të mprehta të shpenzimeve dhe rritje taksash para miratimit të një pakete tjetër ndihmash. Por mijëra grekë kanë humbur vendet e punës dhe pensionet janë shkurtuar duke çuar në protesta.

Ndërsa kriza e borxhit grek arriti kulmin në fund të vitit të kaluar, zoti Papademos, një ish zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane, u emërua si kryeministër i përkohshëm. Roli i tij ishte të vëzhgonte negociatat e vendit për të shkurtuar borxhin, për të siguruar ndihmën dhe për të zbatuar shkurtimet në shpenzimet për programet sociale.

Ai i paraqet dorëheqjen presidentit grek Carolos Papoulias, i cili më pas shpërndan parlamentin dhe cakton zgjedhjet e reja. Fillimisht zgjedhjet ishin planifikuar të mbaheshin në vitin 2013.

XS
SM
MD
LG