Lidhje

Greqia, kriza e borxhit dhe Bashkimi Evropian


Bashkimi Evropian po përballet me problemet që kanë disa nga vendet anëtare si borxhi i madh, papunësia e lartë dhe ekonomitë në rrudhje. Shqetësimi më i madh tani për tani është Greqia. Vendi po merr masa për ta ulur borxhin por kjo nuk do të jetë e lehtë. Ndërkohë edhe vende të tjera të Bashkimit Europian përballen me probleme të ngjashme, ndonëse jo aq të mprehta sa Greqia.

Sot, Greqia ka një borxh të jashtëm të barabartë me 120 përqind të Prodhimit të saj të Përgjithshëm Kombëtar, më i larti ndër të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian. Ky borxh është dy herë më i lartë se niveli i lejuar në BE ndërsa deficiti i saj buxhetor është shumë më i lartë se sa tavani prej 3 përqind i lejuar nga Bashkimi Europian. Vendi po merr masa për ta ulur borxhin duke rritur taksat, duke ngrirë pagat dhe duke shkurtuar punonjësit e sektorit publik. Ministri i Financave, Jorgo Papakonstantinu thotë se brenda tre vjetësh Greqia do ta shkurtojë deficitin nën nivelin e kërluar prej 3 përqind.

"Ne synojmë ta bëjmë këtë në rrugën e duhur dhe jo duke zbatuar ndryshime radikale në strukturat financiare. Kjo nuk është një sfidë e lehtë por është një përpjekje krejtësisht e domosdoshme."

Analisti Dan Mitchell i institutit kërkimor CATO thotë se shqetësimet rreth Greqisë mund të jenë të ekzagjeruara.

"Mendoj se kjo ka më tepër lidhje me faktin se ekeziston një lloj filozofie e centralizimit dhe unitetit politik në Europë dhe pikërisht këtë po përpiqen të mbrojnë elitat europiane."

Por Greqia nuk është e vetme. Portugalia me ekonominë e saj relativisht të vogël përballet me një deficit të madh prej mëse 9 përqind dhe me një papunësi gati 10 përqind.

Spanja ka gjithashtu një deficit të madh buxhetor, më shumë se 11 përqind. Borxhi i saj i përgjithshëm është më i vogël por ekonomia e saj është tkurrur mjaft dhe papunësia arrin në afro 20 përqind. Analistët thonë se modeli ekonomik i Bashkimit Evropian është problematik.

"Tani për tani të gjitha vendet përballen me probleme por nuk ndodhen në prag të falimentimit si Greqia. Mendoj se Greqia ka një problem shumë të madh prandaj ata po luten që Bashkimi Europian të ndërhyjë, përndryshe, thonë ata, kjo munjd të kthehet në një ortek dhe të dëmtojë drejtpërdrejt integritetin e BE-së. Edhe kur ekonomia është mjaft e fortë përsëri ka shumë vende me probleme të rënda financiare. Dhe kur vjen recesioni fillon efekti domino. Shihni Spanjën dhe Portugalinë. Këto janë dy vende më pranë krizës dhe pastaj vijnë Italia dhe Irlanda. Europa ka një problem të madh me qeverinë e madhe." thotë Mitchell.

Franca dhe disa zyrtarë të Bashkimit Europian janë në favor të idesë për të ndihmuar Greqinë. Por në vendet e tjera ka më pak entusiazëm për të ndihmuar këtë vend që disa thonë se është treguar financiarisht i papërgjegjshëm.

"Qeveria greke duhet të pakësojë barrën e shpenzimeve qeveritare. Ky duhet të opsioni i saj i vetëm para se ata t’u drejtohen taksapaguesve dhe të përpiqen të nxjerrin para prej tyre. Greqia zbaton nnjë sistem me taksa tepër të larta."


"Por nuk duhet të harrojmë se çfarë do të thotë shkurtim shpenzimesh. Kjo do të thotë të tkurrësh ekonominë, pra ta rëndosh më tej ekonominë. Kështu nuk mund të mbështetesh vetëm te kjo."


thotë analisti Yu-Dee Chang i cili shton se problemi më i madh që e pret Greqinë është obligacioni i saj i borxhit i cili po maturohet.

"Janë 65 miliard dollarë borxhe që duhen paguar ose duhen rifinacuar për ta shpëtuar Greqinë. Edhe shkurtimi i shpenzimeve e dëmton ekonominë e saj. Por nevoja immediate është pagimi i borxhit prej 65 miliard dollarësh. Pra duhet bërë diçka përndryshe vendi falimenton."

Sipas zotit Chang, problemet e Greqisë vijnë ndërkohë që normat e interesit janë tepër të ulta. Nëse interesat rriten, atëhere problemet financiare të Greqisë mund të rëndohen dhe po ashtu ato të krejt Bashkimit Europian.

XS
SM
MD
LG