Lidhje

Shtohet numri i fëmijëve që jetojnë rrugëve të Haitit


Fëmijët dhe adoleshentët përbëjnë 45 përqind të popullsisë së Haitit. Shumë prej tyre janë traumatizuar nga tërmeti i janarit. Disa kanë humbur prindërit apo të afërmit. Ata më me fat, kanë gjetur strehë tek të tjerët. Shumë prej tyre përfundojnë në rrugë duke iu shtuar kështu numrit të shumtë të fëmijëve haitianë që jetojnë rrugëve.

Kënga titullohet Karnavalet e Fëmijëve, një rrep për ata që mbijetojnë rrugëve. Krijuesit janë fëmijët e rrugës nga Port O’Prince.

Çdo ditë rreth 30 fëmijë, mes tyre muzikantët repistë – mblidhen në shtëpinë e një burri që i ndihmon ata të regjistrojnë – 32 vjeçari Jimmy Bonhomme. Ai ka qënë vetë fëmijë rruge dhe i ndihmon me një vakt në ditë këta fëmijë.

"Është pasioni im, një mision për mua. Sikur më foli Zoti dhe më tha të veproja kështu."

Para tërmetit të janarit, sipas një llogaritje të OKB-së, në rrugët e Port O’Princit kishte 10 mijë fëmijë. Ky numër është rritur pas tërmetit. Shumica e fëmijëve të rrugëve e kalojnë ditën duke lypur për para dhe ushqim.

Prifti Joseph Constant ka punuar me fëmijët e rrugëve në Haiti për disa vite. Ai thotë se jetët e tyre janë plot mjerim dhe dëshpërim.

"Ata ose vdesin rrugëve pasi askush nuk kujdeset për ta, ose dikush do t’i përdorë përmes trafikimit. Zakonisht ata abuzohen seksualisht ose janë pjesë e valës së krimeve."

Bonhomme i di problemet me të cilat përballen këta fëmijë. Kur ishte vetë rrugëve, ai u fut në burg shtatë herë. Shpesh, thotë ai, për krime që nuk i kreu asnjëherë.

Si i rritur, ai i është përkushtuar mbrojtjes së fëmijëve.

"Ndonjëherë ke momente të mira, ndonjëherë të këqija. Por të mos kesh asnjë për të mbrojtur të drejtat e tua, ky ishte shkaku kryesor që vendosa të dalë në mbrojtje të të tjerëve."

Ushqimi që u jep përditë fëmijëve është i kushtëzuar. Nëse fëmijët duan të hanë, ata duhet të shkojnë në shkollë me Bonhomme çdo mëngjes nga ora 7 deri në orën 10.

Lagja i ka dhënë atij një ndërtesë të vogël ku strehon pajisjet e dhuruara.

Gjëja e parë që u mëson fëmijëve është si të shkruajnë emrin. Në një vend me 50 përqind analfabetizëm, kjo është një farë arritje në vetvete.

"Nëse do të jem gjallë, dua të sigurojë që të marrin diçka të mirë nga shoqëria, një mjek apo një avokat. Nëse do të jem gjallë."

Pas shkollës fëmijët dalin për të lypur. Ata i japin disa nga paratë që mbledhin Bonhommit për të blerë ushqime.

Mbështetja që ai jep nuk i shkon kot. David Camille tregon se jetonte me gjyshen derisa ajo vdiq. Më pas ai u detyrua të dilte në rrugë. Ai është qëlluar nga bandat dhe është goditur nga një makinë. Papa, siç i thërret ai Bonhommit, i jep të vetmen mbështetje në jetë.

"Papa ka bërë shumë për ne. Na jep pothuajse çdo gjë që kemi nevojë. Ndonjëherë zemërohet me ne kur bëjmë gjëra që nuk i pëlqen. Por kjo nuk e ndal të na dojë dhe të na japë atë çfarë kemi nevojë."

Asgjë nuk shkon kot, as makaronat e ngjitura në tenxhere. Zyrtarët thonë se është e pamundur të mësohet sa fëmijë të tjerë janë detyruar të dalin në rrugë pas tërmetit. Këta fëmijë thonë se nuk duan të jetojnë në jetimoret e organizuara nga qeveria. Ata preferojnë lirinë dhe mbështetjen që u jep Papa i tyre.

XS
SM
MD
LG