Lidhje

Kosovë: Haga refuzon mbrojtjen në liri të Ramush Haradinajt

  • Isabela Cocoli

Kosovë: Haga refuzon mbrojtjen në liri të Ramush Haradinajt

Kosovë: Haga refuzon mbrojtjen në liri të Ramush Haradinajt

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj do të presë rigjykimin e tij të pjesshëm në Hagë, meqë Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë refuzoi kërkesën e tij për lirim të përkohshëm. Në vendimin e Gjykatës thuhet se lirimi i tij do të mund të nxiste mbështetësit e tij, që t’i frikësojnë dëshmitarët.

Në vendim thuhet ndërkaq se Ramush Haradinaj nuk paraqet rrezik personal për sigurinë e dëshmitarëve ose të viktimave, por është pranuar argumenti i prokurorëve, se lirimi i tij mund të tërheq më tepër vëmendje të medieve, duke e shtuar atmosferën kërcënuese për dëshmitarët dhe se një publicitet i tillë mund t’i nxisë mbështetësit e zotit Haradinaj për angazhim në akte të frikësimit.

Avokati Michael O’Reilly, bashkërendues i mbrojtjes së zotit Haradinaj, tha se “mbrojtja është e zhgënjyer”, me vendimin e Gjykatës. Por, ajo është e “inkurajuar nga deklarata e Gjykatës se rigjykimi i pjesshëm, mund të fillojë pa ndonjë vonesë dhe se ky është faktori, i cili është marrë për bazë me rastin e vendim marrjes”. Në një deklaratë për opinion, zoti O’Reilly, e vlerësoi “deklarimin pozitiv të Gjykatës sa i përket bashkëpunimit të një niveli të lartë të zotit Haradinaj me Gjykatën, duke pranuar se ai nuk paraqet rrezik për sigurinë e asnjë personi”. Mbrojta do të këshillohet me zotin Haradinaj, para se të vendosë se a do të ankohet kundër këtij vendimi të Dhomës së Apelit të Gjykatës, thuhet në deklaratën e zotit O’Reilly.

Më 21 korrik të këtij viti Gjykata ndërkombëtare për krime të luftës në ish Jugosllavi, urdhëroi rigjykimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij të akuzuar për krime lufte. Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës, anuloi pjesërisht vendimin e Gjykatës të prillit të vitit 2008 e cila e kishte shpallur të pafajshëm zotin Haradinaj. Gjykata ka pranuar ankesën e Prokurorisë e cila ka pohuar se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t’i shfrytëzuar të gjitha rrugët, në mënyrë që të sigurojë paraqitjen e dy dëshmitarëve kryesor të rastit.

XS
SM
MD
LG