Lidhje

Lidhja mes sigurimeve shëndetësore dhe reagimit të pacientit me infarkt


Lidhja mes sigurimeve shëndetësore dhe reagimit të pacientit me infarkt
Lidhja mes sigurimeve shëndetësore dhe reagimit të pacientit me infarkt

Debati për kujdesin shëndetësor në Shtetet e Bashkuara nuk është shterur, megjithëse është miratuar ligji për sigurimet shëndetësore. Studimet tregojnë se afro gjysma e amerikanëve nuk kanë besim në sistemin e tyre të kujdesit shëndetësor. Një pjesë e tyre kërkojnë anulimin e ligjit dhe disa të tjerë i tremben kostos së kujdesit shëndetësor edhe në rastet kur kanë nevoja të mëdha si pas një infarkti në zemër.

Amerikanët janë të përçarë për çështjet shëndetësore, po aq sa ç’ishin përpara se të miratohej ligji për kujdesin shëndetësor i Presidentit Obama. Këtë javë, protestuesit në Uashingon mbanin pankarta ku bëhej thirrje për shfuqizimin e ligjit. Ligji, thonë ata, është shembull i shpenzimeve pa kriter:

“Ne jemi amerikanë. Ky është vendi ynë dhe do ta marrim nën kontroll”.

Një anketë e re e Associated Press dhe shoqatës GFK tregon se 50 për qind e amerikanëve e kundërshtojnë ligjin, dhe kundërshtimi më i fortë vërehet ndër amerikanët me moshë 64 vjeç e sipër. Shumë amerikanë në moshë të madhe shqetësohen se sigurimet e tyre shëndetësore do të ndikohen nga shkurtimet e shpenzimeve federale për spitalet dhe klinikat e tjera.

Një tjetër anketë, e zhvilluar nga Ipsos/ Reuters tregon se vetëm 51 për qind e amerikanëve mendojnë se mund të kenë shërbim të pranueshëm dhe me kosto të përballueshme. Gratë dhe personat nën 55 vjeç si dhe individët me arsim më të ulët në të gjitha vendet kishin pakënaqësi më të madhe për qasjen ndaj kujdesit shëndetësor. Një tjetër studim tregonte se amerikanët pa sigurime shëndetësore shpesh shkonin më me vonesë në spital pas një infarkti në zemër. Dr. Paul Chan është një ndër studiuesit:

“49 për qind e personave pa sigurime shëndetësore kishin më shumë gjasa të prisnin mbi 6 orë para se të shkonin në spital dhe 45 për qind e personave me sigurime shëndetësore, por me probleme financiare prisnin mbi 6 orë para se të shkonin në spital”.

Çdo minutë është e vlefshme kur personi ka pësuar infarct. Ekipi i helikopterit të ndihmës së shpejtë e ka të qartë këtë. Mjekët thonë se pacientët duhet të mjekohen brenda 2 orësh pas infarktit, në mënyrë që mjekimi të japë rezultat sa më të mirë. Sipas rezultateve të studimit, shumë prej pacientëve kishin pësuar dëmtime në zemër. Larry Scott tani përdor karrige invalidi. Ai nuk shkoi në spital menjëherë pas infarktit, pasi kishte probleme financiare:

“Po të kisha pasur sigurime shëndetësore, s’do të isha në këtë gjendje. Do t’i kisha rënë pas problemit menjëherë”.

Studiuesit shqyrtuan rastet e 37 mijë pacientëve me infarkt që kishin ardhur në urgjencë për mjekim:

“Arritëm në përfundimin se sigurimet shëndetësore luajnë një rol të madh në vendimin e pacientit për të shkuar në urgjencë në kohën e duhur, menjëherë pas simptomave të infarktit në zemër”.

Studiuesit thonë se ky është studimi i parë që lidh sigurimet shëndetësore me vendimin për të kërkuar mjekim pas infarktit. Studimi, i cili pasqyron problemet e vazhdueshme në sistemin mjekësor amerikan, u botua në Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane.

XS
SM
MD
LG