Lidhje

Hot Springs, banjat e famshme termale në shtetin jugor Arkansa

  • America's Parks

Hot Springs, banjat e famshme termale në shtetin jugor Arkansa

Hot Springs, banjat e famshme termale në shtetin jugor Arkansa

Uji është ai që i tërheq njerëzit në Hot Springs, në këtë qytet të vogël të shtetit jugor Arkansa. Burimet termale nga ka marrë emrin edhe qyteti janë shfrytëzuar për mëse 200 vjet për të shëruar sëmundje dhe për pushim. Të pasur dhe të varfër vinë për banja në këto burime termale, të mirëpritur nga një qytet që është ndërtuar rreth tyre, pjesa veriore e të cilit është pikëtisht parku kombëtar Hot Springs.

Përgjithësisht njerëzit mendojnë se parqet kombëtare ndodhen në zona të paprekura apo jo urbane dhe kjo është pak a shumë e vërtetë. Por në Amerikë, një nga këto parqe gjendet në një zonë urbane.

Është Hot Springs - Burimet e Nxehta - që ndodhet në shtetin Arkansa, parku më i vogël ndër gjithë parqet kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ai ka një sipërfaqe relativisht të vogël, prej disa blloqesh, në një qytet të vogël, por plot gjallëri të këtij shteti jugor. Madje, Hot Springs ishin aty para ngritjes së qytetit që u ndërtua më pas rreth tyre.

Sipas studimeve, mijëra vjet më parë, ujrat e shirave depozitoheshin përmes të çarave të shkëmbenjve dhe tokës rreth një mijë metra nën sipërfaqe. Pas ngrohjes në një thellësi të tillë, ujrat filluan të shpërthenin përsëri në sipërfaqe por me një temperaturë 63 gradë Celsius.

Indianët e hershëm, të parët që bënin banjë këtu, besonin se këto burime termale ishin ngrohur nga fryma e një shpirti të madh e të shenjtë. Evropiani i parë që erdhi për banja në këto burime ishte Hernando DeSoto, eksploratori spanjoll që zbuloi Floridën në vitin 1541. Nëse me të vërtetë ai ishte i pari, DeSoto nuk kishte asnjë ide se çfarë po fillonte.

Presidenti Tomas Xheferson i përfshiu Hot Springs në teritorin amerikan me Blerjen e famshme të Luizianës në vitin 1803. Ai dërgoi atje shkencëtarët, të cilët u kthyen sëandejmi tejet të entuziasmuar. Afaristët e kohës e panë me interes t’i blenin dhe të investonin në këto burime. Në vitin 1832, Presidenti Endriu Xhekson i shpalli Hot Springs rezervat të posaçëm natyror dhe kjo ndodhi 40 vjet para Jelloustonit. Më pas, në vitin 1921, Hot Springs, burimet e shkëlqyera termale në Arkansa, u shpallën park kombëtar. Padyshim, një nga parqet më të afërta të zonave urbane dhe i vetmi park në Shtetet e Bashkuara që ka një sërë banjash të nxehta si pikë turistike.

Po a është uji i nxehtë i këtyre 47 burimeve termale, rreth 4000 litra në ditë, ilaç për shëndetin dhe jetëgjatësinë siç thuhej dikur? Parku nuk e pretendon një gjë të tillë, megjithatë një udhëtim në Hot Springs të jep një përshtypje të fortë mirëqënieje.

Të shtunën e ardhëshme do t'ju sjellim pamje nga parku kombëtar Jellouston që shtrihet në shtetet Uajoming, Idëho dhe Montana. I sanksionuar me një Akt të Kongresit amerikan në vitin 1872, Jellouston, guri i verdhë, është parku i parë kombëtar i Shteteve të Bashkuara. Përveç një faune shumë të pasur, Jellouston ka edhe numrin më të madh të geizerëve, ujrave të ngrohta dhe burimeve termale në gjithë botën. Ju rikujtojmë se serinë "Parqet Kombëtare të Amerikës" mund ta gjeni edhe në YouTube.com/zeriamerikes.

XS
SM
MD
LG