Lidhje

HRW bën thirrje për hetime të paanshme ndaj akuzave për krime të UÇK-së

  • Zëri Amerikës

Human Rights Watch logo

Human Rights Watch logo

Organizata e të drejtave të njeriut Humans Right Watch u bëri thirrje sot Shteteve të Bashkuara dhe Evropës të kërkojnë hetime të hollësishme dhe të paanshme penale në Kosovë dhe Shqipëri në lidhje me akuzat për krime të rënda të kryera nga ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.

Organet shqiptare të drejtësisë duhet të zhvillojnë hetimet në Shqipëri, ndërsa në Kosovë, duhet të jetë misioni i Bashkimit Evropian që t’i trajtojë këto çështje, thotë organizata në deklaratën e saj për shtyp.

Një projekt-raport i Këshillit të Evropës i cili përmban akuza për rrëmbime, zhdukje, ekzekutime, trafikim organesh dhe krime të tjera të rënda të koordinuara nga politikanët kryesorë në Kosovë, ka të ngjarë të miratohet nesër komisioni i punëve ligjore dhe të drejtave të njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kenet Roth, drejtor ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch tha se komuniteti ndërkombëtar nuk mund të vazhdojë t’i injorojë akuzat për krime të rënda në Kosovë dhe Shqipëri.

Raporti i Këshillit të Evropës i përgatitur nga senatori zviceran Dik Marti ngre akuza për rrjete kriminale të gjera në Kosovën e pas-luftës, ku thuhet se kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka luajtur rol të rëndësishëm.

Qeveria e Kosovës e hodhi poshtë raportin dje si veprim i personave pa besueshmëri morale. Kryeministri shqiptar Sali Berisha e quajti atë sot krejtësisht të pabazuar në fakte, prova apo realitet.

XS
SM
MD
LG