Lidhje

Vullkani islandez shkakton kaos në aeroportet evropiane


Një tymnajë e dendur pluhuri vullkanik mbulon sipërfaqe të mëdha mbi Islandë, duke bërë të papërdorshme korridoret ajrore dhe duke penguar fluturimet edhe në një pjesë të madhe të Evropës për sot. Shkencëtarët në Islandë paralajmëruan ndërkaq se aktiviteti vullkanik është shtuar dhe se nuk ka shenja qetësimi që do të thotë se kaosi i udhëtimeve to të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.

Pritej që erërat veriore të shpërndanin tymin në një farë mase për të lejuar sot fluturimet, por situata vazhdon të jetë e papërballueshme për linjat e fluturimit.

Shkencëtarët duan të shohin tani sa akull është shkrirë për të përcaktuar sa avull e pluhur do të vazhdojë të çlirohet. Duke qenë se vullkani ndodhet nën shtresën e akullt, magma po ftohet me shpejtësi, duke shkaktuar shpërthime dhe shtëllunga avulli që mund të kenë pasoja katastrofike për motorrët e avionëve.

Që nga shpërthimi i vullkanit, tymnaja është përhapur në një pjesë të mirë të Evropës Veriore, duke bllokuar mijëra pasagjerë fluturimesh.

Qeveritë belge, franceze dhe zvicerane e kanë zgjatur ndalimin e fluturimeve deri sot në mbrëmje. Kenneth Thomas i Agjencisë së Trafikut Ajror Eurocontrol thotë se gjendja nuk ka ndryshuar shumë që nga dje:

“Erërat për momentin kontrollohen nga presioni i lartë mbi Atlantik, gjë që ka qendruar thuajse në të njëjtin nivel”.

Eurocontrol thotë se rreth 16 mijë nga mesatarja e 28 mijë fluturimeve të përditshme në Evropë u anuluan sot, një shifër 2 herë më e lartë se një ditë më parë.

Për pasagjerët e bllokuar gjatë udhëtimit, gjendja e sotme nënkupton orë të panumërta në aeroporte në pritje të hapjes së korridoreve ajrore:

“Po shkonim nga Nurenbergu në Deli të Indisë. Jemi bllokuar këtu që dje. Lufthansa na ndihmoi duke prenotuar një dhomë hoteli për ne, por nuk e dimë se si do të vejë puna sot, a do nisemi apo jo”.

Në qytetet e mëdha evropiane, vullkani shkaktoi ndryshime në skemën e udhëtimeve. Në Amsterdam, autoritetet e transportit urdhëruan shtimin e trenave në operim dhe zgjatjen e orarit të linjave hekurudhore. Po ashtu, një dyndje masive u vërejt në tragetet e pasagjerëve, veçanërisht në linjën që pret Kanalin Lamansh. Ekspertët e transportit thonë se situata aktuale ka sjellë një prej ndërprerjeve më të rënda të shërbimit ajror që ka përjetuar ndonjëherë Evropa.

XS
SM
MD
LG