Lidhje

FMN, Shqipëria të ulë deficitin buxhetor dhe borxhin e brendshëm


FMN, Shqipëria të ulë deficitin buxhetor dhe borxhin e brendshëm

FMN, Shqipëria të ulë deficitin buxhetor dhe borxhin e brendshëm

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kërkoi Shqipërisë që të ulë borxhin e brendshëm dhe deficitin buxhetor për të rritur qëndrueshmërinë dhe normalitetin e ekonomisë së vendit. Misioni, që po viziton Shqipërinë në kohën kur qeveria po harton projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm, deklaroi se ulja e borxhit dhe e deficitit duhen bërë me masa dhe parashikime realiste. Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gervin Bell, deklaroi në fund të një vizite njëjavore në Tiranë, se borxhi publik i Shqipërisë është në nivel të lartë dhe ky është rreziku kryesor në ekonominë e brendshme.

“Vitet e fundit, borxhi është rritur nga 54 % në afro 60% të prodhimit të brendshëm bruto (GDP). Ky është një nivel shumë i lartë, krahasuar me vendet e tjera në rajon apo dhe me vende të tjera në zhvillim - tha ai. - Ulja e borxhit publik është përparësi kryesore për të ulur rreziqet e destabilizimit të ekonomisë, por objektivi për të ulur borxhin duhet të mbështetet në buxhete të besueshme dhe realiste” - tha shefi i misionit të FMN-së.

Zoti Bell tha se për vitin 2011 FMN mendon se Shqipëria duhet të ketë një deficit buxhetor jo më të lartë se 2,5 për qind e GDP-së, dhe buxheti duhet të bazohet në parashikime realiste për të ardhurat. Kjo masë, sipas tij, do të ulë rreziqet, por edhe do të nxitë rritjen ekonomike, sepse një deficit fiskal më i ulët, do të çlirojë më shumë burime financiare nga sektori privat dhe do të ulë koston e huamarrjes. Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gervin Bell, tha se rritja ekonomike është 3 për qind këtë vit dhe parashikohet rreth 3,5 për qind vitin e ardhshëm me një inflacion mesatar rreth 3 për qind. Me këtë parashikim mbledhja e të ardhurave duhet të rritet 6-7 për qind.

Përfaqësuesi i FMN-së nxiti qeverinë shqiptare që të ndërmarrë një reformë të thellë në sistemin e pensioneve, sepse 1/3 e buxhetit shkon për faturën sociale. Sipas tij, duhet studiuar me kujdes çështja nëse kjo është struktura më e mirë e buxhetit. Ai tha se koha më e mirë e Shqipërisë për një reformë në fushën e pensioneve është tani kur popullata është ende e re në moshë, ndryshe nga vende të tjera ku po hasen probleme. Sipas zotit Bell, nëse Shqipëria vonohet për këtë reformë të pensioneve, atëherë popullsia do të plaket dhe një numër gjithnjë më i madh njerëzish do të presin të përfitojnë pensionet dhe reforma nuk mund të bëhet lehtë; ndaj kjo vonesë do ta bëjë reformën më të vështirë edhe teknikisht edhe politikisht.

XS
SM
MD
LG