Lidhje

Takimet e FMN-së përfundojnë pa zgjidhur krizën e monedhës dhe çekuilibrin tregtar

  • Suzan Presto

Takimet e FMN-së përfundojnë pa zgjidhur krizën e monedhës dhe çekuilibrin tregtar

Takimet e FMN-së përfundojnë pa zgjidhur krizën e monedhës dhe çekuilibrin tregtar

Fondi Monetar Ndërkombëtar u dha fund dy ditë takimesh dje në Uashington pa i gjetur zgjidhje rritjes së tensioneve rreth kursit të shkëmbimit të monedhave. Ndërkaq, Banka Botërore thotë se nuk beson që këto çështje të dominojnë diskutimet për zhvillimin në takimin e G-20ës muajin e ardhshëm. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Suzan Presto na informon nga Uashingtoni se në një komunikatë të lëshuar dje në përfundim të takimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar thuhet se FMN-ja zotohet të “shtojë punën e saj” në aspekte të tilla si disekuilibri global dhe lëvizjet në kursin e shkëmbimit të monedhave.

Në një konferencë shtypi në përfundim të takimeve, Drejtori i menaxhimit të FMN-së Dominik Shtraus-Kahn tha se udhëheqësit botërorë po diskutojnë çështjet që duhet. Por ai tha se bisedimet nuk kanë qënë të efektshme për të arritur në miratimin e politikave.

"Nuk ka asnjë mënyrë të besueshme që rritja ekonomike globale të balancohet përsëri pa bërë ndryshime në vlerën e disa monedhave, sepse është mëse e qartë se ne do të kemi rritje të ndjeshme në një pjesë të botës dhe rritje të ngadaltë në një pjesë tjetër. Ribalancimi bëhet nëpërmjet rivlerësimit të asaj pjese të botës, ku rritja është e madhe”.

Një monedhë më pak e vlefshme i jep një vendi avantazh pasi prodhimet e tij janë më të lira në tregun ndërkombëtar ndërsa importet për atë vend më të shtrenjta.

Ndërsa udhëheqësit botërorë të financave nuk arritën të binin dakord për një strategji të re, Kryetari i FMN-së, ministri egjiptian i Financave, Jusuf Butros-Gali, tha se anëtarët ranë dakord se FMN-ja duhet të luajë një rol më të madh në trajtimin e mosmarrëveshjeve lidhur me monedhën.

Bisedime për kursin e shkëmbimit të monedhës dhe strukturimi i balancës tregtare dominuan bisedimet e Uashingtonit, po ashtu edhe domosdoshmëria për të bërë reforma. Në komunikatën përfundimtare të FMN-së thuhet se duhen marrë masa të mëtejshme për të forcuar rregullat dhe kontrollin. Zoti Butros-Gali tha se kontrolli shumëpalësh është gjithnjë e më i nevojshëm, ndërsa ekonomitë integrohen përherë e më shumë. Ndoshta këto çështje dominuan faktin se FMN-ja tha se rimëkëmbja ekonomike po vazhdon, edhe pse është delikate dhe jo e barabartë.

Dje vonë, në një konferencë shtypi të Komitetit për Zhvillimin të Bankës Botërore, Drejtori i Bankës Robert Zellik tha se nuk është i shqetësuar se çështjet e pazgjidhura të këtyre takimeve do të dominojnë bisedimet për zhvillimin të takimit të G-20 muajin e ardhshëm në Seul të Koresë së Jugut.

"Ngjarja më e madhe është se tregjet e reja po drejtojnë rritjen dhe këto janë vendet në zhvillim. Prandaj mendoj se çështja kryesore e zhvillimit nuk është vetëm një kategori e caktuar, por forca drejtuese për të patur rritje dhe mëkëmbje të suksesëshme globale”.

Zoti Shtraus-Kahn është dakord me këtë pikëpamje dhe thotë se çështjet e monedhës dhe disekuilibri tregtar nuk qendrojnë veças nga çështjet e zhvillimit.

XS
SM
MD
LG