Lidhje

Debate mbi ligjin e imigracionit në Arizona

  • Rudina Dervishi

Debate mbi ligjin e imigracionit në Arizona

Debate mbi ligjin e imigracionit në Arizona

Aktivistët e të drejtave civile paralajmëruan para pak ditësh, se shteti i Arizonës mund të ketë profilizim racor dhe taktika të policisë së shtetit të shfrenuara nëse miraton një ndër ligjet më të ashpra në SHBA kundër imigrantëve. Miratimi I kësaj mase, do ta konsideronte si vepër penale sipas ligjeve të shtetit, qëndrimin e paligjshëm në vend.

Bashkimi i të drejtave civile amerikane dhe grupe të të drejtave të imigrantëve në Arizona, e kanë kundërshtuar propozimin për miratimin e ligjit për imigrantët, sipas të cilit kushdo që është i paligjshëm, mund të akuzohet se kryen krim kundër shtetit, mund të arrestohet, të burgoset deri në 6 muaj dhe të paguajë një gjobë prej 2,500 dollarësh. Gjithashtu ky projektligj, nëse miratohet, i jep të drejtë policisë që të kontrollojë për dokumentacion këdo që dyshohet se qëndron në mënyrë të paligjshme në shtetin e Arizonës.

Grupet e të drejtave të emigrantëve dhe Bashkimi i të drejtave civile amerikane, i kanë bërë thirrje guvernatores Jan Brewer që t’i vërë veton ligjit. Nuk dihet nëse republikania Brewer do ta nënshkruajë ligjin apo jo, por një gjë dihet: mbështetja e saj e fortë ndaj ligjeve pragmatike për imigracionin. Paraardhsja e saj në detyrë, Janet Napolitano, aktualisht sekretare për sigurin kombëtare, ka vendosur veton për ta hedhur poshtë këtë ligj.

Nëse miratohet, masat që përmban ky ligj, do të prekin drejtpërdrejtë 460 mijë imigrantët të paligjshëm që punojnë e jetojnë në Arizona.

Senatori Rusell Perace, mbështetës i ligjit për imigracionin thotë se nuk është çështje racore. Ish-polic në profesion, z. Perace rendit numrin e oficerëve të policisë së vrarë apo të plagosur nga imigrantët e paligjshëm:

“Këta njerëz do të largohen vetë, duke e ditur se nëse janë të paligjshëm do të arrestohen. Atëherë ata do të zgjedhin vetë të largohen”.

Masat e reja ligjore për imigracionin e paligjshëm mëbshteten nga sindikata e policëve.

Ndërkaq grupet e të drejtave të imigrantëve thonë se ky ligj nuk ka të bëjë me imigracionin e paligjshëm.

Alfredo Gutierrez është aktivist:

Ky ligj ka të bëjë me hispanikët, dhe meksikanët. Qëllimi i tij nuk është imigracioni i paligjshëm, por dallimet racore dhe etnike. Ky është një Aparteid që vë në shënjestër latinët në Arizona”.

Dhoma e përfaqësuesve e Arizonës e miratoi ligjin të martën me shumicën republikane. Senati e miratoi atë në shkurt, por duhet të votojë mbi ndryshimet e bëra nga republikanët, përpra se ky ligj t’i dorëzohet guvernatores për t’u nënshkruar.

XS
SM
MD
LG