Lidhje

Sejdiu: Është koha e distancimit nga njerëzit që kanë vepruar kundër ligjit


Sejdiu: Është koha e distancimit nga njerëzit që kanë vepruar kundër ligjit

Sejdiu: Është koha e distancimit nga njerëzit që kanë vepruar kundër ligjit

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se Kosova ka shënuar përparime të mëdha që nga hyrja e forcave të NATO-s në qershor të vitit 1999. Por, në rrugën e shtet ndërtimit, thotë ai, ka ende punë për të bërë, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, presidenti Sejdiu shpreh besimin se lufta kundër korrupsionit do të shkojë deri në fund, ndërsa tërheq vërejtjen se krimi ekonomik në veriun e Kosovës zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë serbo-shqiptar.

Zëri i Amerikës: Zoti President. Kosova po shënon 11 vjetorin e çlirimit, përkatësisht 11 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s me çka ju dha fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë. Po t’i hidhni një vështrim kësaj periudhe, si do t’i vlerësonit zhvillimet e këtyre 11 viteve.

Fatmir Sejdiu: Unë them se janë 11 vjet të një investimi të madh për Kosovën dhe paralelisht mund të them se ka qenë ndërhyrja më e rëndësishme që është bërë, paqësore në historinë e aleancës veri atlantike, por edhe të intervenimit ndërkombëtarë për të shporuar një popull nga zhbërja. Dhe them, paralelisht një investim shumë i rëndësishëm në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, duke u nisur nga ajo që ka qenë qëllim themelor në rindërtimin e jetës, të institucioneve demokratike dhe deri tek pjesët tjera që kanë të bëjnë me procese të mëdha, të cilat i ka kapërcyer Kosova më vonë, praktikisht me shpalljen e pavarësimit të vendit në koordinim me gjithë mbështetësit e Kosovës dhe në dëshmimin e saj si shtet sovran dhe i pavarur. Natyrisht se objektivi themelor i yni është arrit, por në këtë pjesë të objektivit ka edhe shumë çështje tjera që kanë të bëjnë me pritjet e qytetarëve të vendit. Unë them se kemi hapësirë të punojmë më tepër. Ka hapësirë që institucionet e Kosovës të dëshmojnë energji edhe më të shumtë në këtë drejtim. Ka hapësirë që realisht të bëhen investime prioritare ne fushat që janë në fikus të veçantë në kuptimin mbështetjes ndërkombëtare, por mendoj se edhe shumë fusha të tjera të që janë të domosdoshme dhe këtu do të veçoja posaçërisht çështjen e sundimit të ligjit dhe sigurisë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, kur jemi tek sundimi i ligjit, kohëve të fundit ka pasur shumë debate rreth hetimeve që kanë filluar nga ana e Misionit të BE-së për policinë dhe drejtësinë, lidhur me dyshimet për përfshirje të mundshme të zyrtarëve të lartë në korrupsion. Si i shihni këto zhvillime?

Fatmir Sejdiu: Unë besoj në një projekt që është projekt që është projekt edhe them i ndjenjës së brendshme por natyrisht edhe i mbështetjes ndërkombëtare dhe besoj po ashtu se pikërisht kjo qasje e filluar që të ketë adresimet drejtpërdrejta, natyrisht gjithmonë me argumente, të shkojë deri në fund. Dhe është me rëndësi që te qytetarët e Kosovës ekziston një ndjenjë e shqetësimit se a ka pasë nevojë Kosova të vije deri në këtë kohë, apo deri në këto momente kur flitet për fenomenin e korrupsionit, apo të sjelljeve të tjera devijonte. Nuk jam nga njerëzit që jap adresë të drejtpërdrejtë se është ky apo ai person, i cili është marrë me, apo i ka zënë strehë në vokacionin e tij edhe korrupsioni apo shkelja e ligjit drejtpërdrejtë. Por jam megjithatë, që për secilin të bëhet hulumtimi i mirë dhe kërkush nuk është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë alfa dhe omega e përcaktimit të themi të masës dhe veprimit të shtetit në respektim të plotë nga secili bartës apo përgjegjës në institucionet e vendit, qoftë të themi të nivelit më të lartë por edhe nivele të tjera. Unë them se është një punë e ndjeshme që pret institucionet e vendit, në radhë të parë sistemin prokurorial dhe gjyqësorë që janë segment i ndarë i veprimit të shtetit, apo pushtet i ndarë dhe e mira e të mirës është që politika të mos ndërhyje asnjëherë në punën e tyre, sikur që edhe ato vet të mos jenë të politizuara. Dhe në të njëjtën kohë them se është e nevojshme një mbështetje e fuqishme siç është edhe e filluar edhe nga EULEX-i me komponentin e tij mbështetëse për dy fushat për çka edhe është prezent në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti President. Është thënë se arrestimet e mundshme lidhur me korrupsionin mund ta destabilizojnë skenën politike në vend. A mendoni se kjo është e mundur?

Fatmir Sejdiu: Unë them se kur sillen argumentet për secilin rast dhe ato duhet të sillen, sepse nuk jemi në kohën dhe nuk duhet të vijë asnjëherë koha që njerëzit të ndiqen pa argumente dhe të ketë fushatë politike ndaj njerëzve. Por kur të qitet argumenti në tavolinë për secilin se mund të ketë shkelë ligjin, apo ka shkelë ligjin, secili do ta kuptojë mirë. Unë s’besoj se një arsye, apo një njeri i arsyes së shëndoshë dhe mendjes së shëndoshë në Kosovë mund të gjendet për të dalë e të thotë, “ngadalë se edhe nëse e ka shkelë ligjin s’bën se është fans i imi, është njeri që unë e kam mbështetë, i kamë dhënë votë”. Pikërisht është kjo kohë që e do nevojën e distancës nga njerëzit që eventualisht mund të kenë bërë veprime që ndeshen me ligjin. Andaj e them gjithmonë se nuk është Kosova që inkriminohet. Unë them se për secilin duhet vënë argumentet dhe ajo që thuhet nga koha e latinëve të mençur, se para argumenteve edhe zotat heshtin.

Zëri i Amerikës: Kur flasim për sundimin e ligjit, pjesa veriore e Kosovës është ajo ku ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Zoti President, si i shihni zhvillimet atje dhe a ka një zgjidhje për atë pjesë?

Fatmir Sejdiu: Natyrisht se atje është një gjendje e trashëguar tash e 11 vjet. Një gjendje në të cilën krahas komponentës së veprimit të strukturave të instruktuara nga Beogradi, fatkeqësisht me një qasje gjithmonë me dëshirë që të mbajë tensione në Kosovë. Në të njëjtën kohë një hapësirë në të cilën është zhvilluar krimi ekonomik. Pra, një kriminalitet i gjallë. Shifrat janë alarmante të asaj se sa humbë ekonomia e Kosovës me kontrabandën e madhe që bëhet me mallra që hyjnë nga veriu. Mirëpo, është edhe një pyetje tjetër që shtrohet paralelisht. Kush janë partnerët që mbajnë gjallë krimin ekonomik në Kosovë, në veri? Janë të përbashkët. Dhe unë them me përgjegjësi se janë të përbashkët. Po që se do të ndodhte që të ishte akuza vetëm në pjesën e strukturave paralele dhe njerëzit që merren me to dhe ato mallra mbeten vetëm në veri, unë s’them se do të ishte fitimi i madh për to vet. Por, është diçka tjetër. Janë edhe partnerë të brendisë së Kosovës që e ndihmojnë këtë proces, që janë aleat në këtë proces, që fusin mallra brenda në Kosovë, që bëjnë kontrabandë me miqtë e vet në veri. Pra, nganjëherë ndoshta jo ne metaforë, po simbolikisht del tamam, se është një multietnicitet i veprimit të përbashkët të njerëzve që kanë parësorë krimin, apo interesin nga krimi ekonomik.

Zëri i Amerikës: A mund të jetë veriu, pjesë e bisedimeve më Beogradin që janë paralajmëruar të ndodhin pas vendimit të GJND-së për pavarësinë e Kosovës?

Fatmir Sejdiu: Jo. Veriu është një pjesë e ndjeshme për shkak vërtetë ende prezencës së strukturave që mbështeten nga Beogradi, por s’do të jetë asnjëherë hapësirë e Kosovës që do të hyjë në pazar. Kosova ka të garantuar, flas me zotim, integritetin e saj territorial. KFOR-i bënë punën e tij të shkëlqyeshme në këtë drejtim, të mbrojtjes së integritetit dhe është mirë që nuk ka provokacione të kësaj natyre. Ka pasur në momente të caktuara, ju e dini një ndërhyrje. Në të njëjtën kohë unë them se ne çështjet që kanë të bëjnë me jetën e qytetareve edhe në veri edhe në pejsën tjetre që u takojnë minoriteteve, e kemi përcaktuar shumë mirë dhe qartë me pakon e presidentit Ahtisaari. Dhe Kosova do të mbajë këtë zotim. Ajo që është e rëndësishme është se ne jemi të gatshëm në çdo kohë të bisedojmë me Serbinë, për çështje që janë në interes të dy vendeve sovrane.

Zëri i Amerikës: Zoti President. Juve ju është propozuar edhe nga ana e analistëve ndërkombëtarë mundësia që ju t’i bëni një ftesë për takim presidentit serb, Boris Tadiç. A jeni të gatshëm ta bëni një gjë të tillë?

Fatmir Sejdiu: Asnjëherë nuk kam dashtë që të jap, apo të bëjë proteza që do të kuptoheshin si pjesë, mbase edhe nganjëherë edhe e provokacionit në raportet ekzistuese. Pavarësisht prej kësaj, unë jam i gatshëm gjithmonë, që siç kamë thënë edhe më herët, ta takoj presidentin e Republikës së Serbisë, por gjithmonë në nivel të barabartë si presidenti i vendit. Dhe do të vijë momenti që do të sjellë, të themi rezonin e shëndoshë që të ketë edhe procese të bashkëpunimit më të thellë, të kapërcimit të tensioneve. Unë s’them se sot apo nesër Republika e Serbisë do ta njohë Kosovën, por them se do të vijë dita që Republika e Serbisë do ta njohë Kosovën. Sepse, e them është interes edhe i qytetarëve serbë edhe në Kosovë, por edhe në Serbi. Është interes edhe i Kosovës që të ketë raporte të mira me Republikën e Serbisë. Ne s’mund të harrojmë tragjeditë e përjetuara. Por ato do të jenë në pjesën e kujtesës. Do të jenë në pjesën institucionale të mekanizmave të drejtësisë, në radhë të parë të drejtësisë ndërkombëtare që të ndjekë të gjithë kriminelët që kanë bërë krime apo vrasje masive apo individuale. Dhe ka perënduar, e them gjithmonë ajo koha kur Serbia ka pretenduar apo pretendon që të jetë dirigjuese e vendeve të rajonit apo popujve tjerë. Absolutisht. S’mundet Serbia që të diktojë se si do ta jetojë jetën Kosova sot edhe nesër edhe pasnesër.

XS
SM
MD
LG