Lidhje

Thaçi: Po përmbyllim “pavarësinë e mbikëqyrur”, Prishtina përgjegjëse për proceset


Thaçi: Po përmbyllim “pavarësinë e mbikëqyrur”, Prishtina përgjegjëse për proceset

Thaçi: Po përmbyllim “pavarësinë e mbikëqyrur”, Prishtina përgjegjëse për proceset

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se procesi i pavarësisë së mbikëqyrur po përmbyllet ndërsa institucionet e vendit do të marrin përgjegjësitë përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryeministri Thaçi thotë Kosova është e gatshme të bisedojë për marrëdhënie të reja me Serbinë por asnjëherë për statusin dhe tërësinë tokësore të saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, aktualisht, siç e keni thënë edhe vet në një fjalim drejtuar qytetarëve, qeveria juaj po përballet me ndjenjën e zhgënjimit të qytetarëve dhe me një krizë besimi ndaj politikës. Cilat janë arsyet e një gjendjeje të tillë dhe si të tejkalohet kjo gjendje?

Hashim Thaci: Natyrisht se kemi arritur jashtëzakonisht shumë, por pritjet e qytetarëve kanë qenë edhe më të mëdha. Krejt pritje këto të drejta dhe legjitime. Kemi pasur një progres të jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Jemi në fazën e rëndësishme të përmbylljes së procesit të pavarësisë së mbikëqyrur sipas planit të presidentit Ahtisaari. Tanimë institucionet e Kosovës janë forcuar dhe konsoliduar për t’i marrë të gjitha përgjegjësitë që u takojnë, për të ushtruar ligjshmërinë në githë territorin e Republikës së Kosovës, për të thelluar reformat demokratike qoftë në politikë, qoftë në legjislacion, qoftë në ekonomi. Ne kishim sukses të jashtëzakonshëm në organizimin e zgjedhjeve të lira të para në Kosovën e pavarur ku u integruan edhe serbët dhe zgjodhën liderët e tyre. Tanimë po hapet një kapitull i ri, kapitulli i integrimit të Kosovës në NATO dhe BE. Dhe e njoh dhe e respektoj vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të ecur edhe më shpejt, gjë që është edhe qëllimi dhe vizioni im. Për këtë arsye në hapat tonë të mëtejshëm të politikës kosovarë dhe vullnetit të jashtëzakonshëm të qytetarëve të vendit për të ecur më shpejt, mendoj se do të ndërtojmë një partneritet mirëkuptimi, besimi dhe respekti të ndërsjellë që në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për ecje më te shpejtë qoftë në integrim, qoftë në zhvillim, të ecim edhe me vizionin e institucioneve dhe politikës kosovare.

Zëri i Amerikës: Kur thoni përmbyllje e periudhës së pavarësisë së mbikëqyrur, kjo do të duhej të nënkuptonte largimin e misioneve mbikëqyrëse në Kosovë. Ato morën mandat të ri...

Hashim Thaçi: Roli i misioneve ndërkombëtare është i përcaktuar me mandatin e tyre në angazhimet e tyre fasilituese, mbështetëse dhe mbikëqyrëse në angazhimet e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ndërtimin e raporteve të reja të Kosovës me vendet tjera. Jemi në prag të shpalljes së opinionit të shumëpritur të Gjykatës Ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës. Pavarësisht nga vendimi i gjykatës, për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara, do të ketë njohje të reja dhe do të kemi një afrim edhe më të madh të Republikës së Kosovës për t’u integruar edhe në NATO edhe në BE por edhe në OKB.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, thatë se institucionet e Kosovës janë të gatshme të marrin mbi vete të gjitha përgjegjësitë. Ju keni thënë se jeni ju udhëheqësi i luftës kundër korrupsionit. Pjesë të kabinetit tuaj po hetohen nën dyshimet për përfshirje të mundshme në korrupsion. Për aq sa keni dijeni, sa janë të qëndrueshme dyshimet e ngritura?

Hashim Thaçi: Ne jemi zotuar që nga fillimi për qeverisje të mirë, për qeverisje efektive dhe efikase, për transparencë të plotë, për qeverisje ndryshe, për qeverisje që është vetëm e vetëm në shërbim të qytetarëve dhe për një qeverisje që është po aq e mirë sa edhe vet qytetarët e vendit. Këtë konfirmim e prezantoj edhe sot para jush dhe para gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Të arriturat janë të jashtëzakonshme, mund të them lirisht dhe është duke u përshëndetur ky progres nga të gjithë. Por, mund të bëjmë edhe më tepër dhe sundimi i ligjit ka qenë një nga prioritetet top të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe një nga prioritetet top të miat personale. Do të vazhdoj të jem në ballë të luftës kundër të keqes. Do të jemi të pa kompromis. Të gjitha janë të barabartë para ligjit. Respektimi i plotë i ligjit është detyrë imediate e të gjithëve. Natyrisht se ky proces është i ndjeshëm, por nuk do të ketë në asnjë rrethanë kompromis. Do të vazhdohet të punohet maksimalisht me të gjithë faktorët relevant dhe unë kam ftuar gjithë skenën politike që të më bashkohet në këtë betejë të rëndësishme për ndërtimin e shtetit demokratik, shoqërisë multietnike, perspektivës së qartë evropiane. E kam mbështetjen e plotë të faktorit ndërkombëtarë në këtë betejë. Është ndërtuar dhe konsoliduar fuqia e institucioneve të Kosovës për të marrë mbi supet e veta edhe këtë angazhim. Kemi fituar beteja jashtëzakonisht të rëndësishme edhe me herët. Jam i bindur se edhe këtë betejë do ta fitojmë. Qeveria e Kosovës tashmë është duke ndërmarrë reforma jashtëzakonisht të rëndësishme edhe në ekonomi. Kishim sukses të jashtëzakonshëm në koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës, me një transparencë jashtëzakonisht të vlerësuar. Filluam me projektin madhor të ndërtimit të autostradës me një investim mbi 700 milion euro. Gradualisht jemi duke e larguar ndikimin e mëhershëm që ka pasur qeveria në ndërmarrjet publike dhe jemi duke punuar me agjendë të pandërprerë edhe për privatizimin e aseteve tjera të shtetit të Kosovës, edhe të PTK-së edhe të KEK-ut.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, thatë më herët se keni mbështetje të fuqishme ndërkombëtare. Tash po tërheq një paralele. Kur filluan hetimet e EULEX-it dhe pas bastisjeve në Ministrinë e Transporteve ju reaguar me një gjuhë që u cilësua si e ashpër kundruall veprimeve të këtij misioni. Tash e shpallni veten udhëheqës të luftës kundër korrupsionit dhe angazhoheni për bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in. A nuk janë pak kundërthënëse këto qëndrime?

Hashim Thaçi: E konfirmoj. Institucionet e Kosovës janë të zotuara dhe kanë autoritetin, janë të konsoliduara, e kanë fuqinë të jenë në ballë të angazhimeve udhëheqësve për shtetin e Kosovës. Kemi ndërtuar kapacitetet e plota qoftë politike, qoftë të drejtësisë. Unë kam besim të plotë tek prokurorët, tek gjyqtarët dhe të gjithë edhe te qytetarët por edhe ndërkombëtarët. Tanimë jemi duke krijuar një opinion të përbashkët të angazhimeve dhe veprimeve, mund të them në këto përkushtime që jam duke i udhëhequr. E kam ftuar edhe gjithë skenën politike, sepse lufta kundër korrupsionit do të zbërthehet, do të luftohet që nga dita e parë e lirisë së Kosovës, që nga viti 1999 deri ma tani dhe tutje. Do të jetë shumëdimensionale, e thellë dhe e pa kompromis.

Zëri i Amerikës: Do të jeni të pa kompromis edhe brenda radhëve të qeverisë suaj zoti kryeministër?

Hashim Thaçi: Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Nuk dëshiroj, nuk do të pretendoj dhe nuk duhet askush të angazhohet për politizimin e këtioj procesi. Sundimi i ligjit është mbi të gjitha, të gjithë janë të barabartë para ligjit, kështu që prej mbështetje nga të gjithë.

Zëri i Amerikës: Opozita ju ka kritikuar ashpër duke kërkuar zgjedhje të reja, apo krijimin e një qeverie teknike, ose të unitetit. A i keni shqyrtuar ndonjëherë mundësitë e tilla?

Hashim Thaçi: Qeveria është jashtëzakonisht stabile, funksionale, me një mazhorancë shumë domethënëse. Respektojmë mandate legjitime. Është e drejtë e secilit të merret me atë që mendon. Ajo pjesë e opozitës është duke u marrë me të kaluarën, ndërsa unë punoj me prioritetet për të ardhmen e zhvillimit të vendit, ndërtimit të demokracisë, krijimit të vendeve të reja të punës, rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve dhe integrimit të Kosovës sa më të shpejtë në NATO dhe BE.

Zëri i Amerikës: Ka ditë që paralajmërohen edhe arrestime lidhur me hetimet që janë duke u zhvilluar për përfshirje të mundshme në korrupsion. A mund të destabilizojë qeverinë tuaj një gjë e tille?

Hashim Thaçi: Drejtësia është duke kryer punën e vet, politika e kryen punën e vet. Janë çështje të ndara. Por, korrupsioni është edhe jashtë institucional, por në asnjë segment nuk do të kursehet në kuptimin e luftës dhe çrrënjosjes së korrupsionit nga sistemi i ngulitur tash e dhjetë vite.

Zëri i Amerikës: A jemi para ndryshimeve të reja në qeverinë tuaj?

Hashim Thaçi: Jemi në angazhime shtesë të forcimit të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe implementimit të prioriteteve për të ardhmen zhvillimore të Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër. Më herët përmendët rrjedhat që mund ta presin Kosovën pas vendimit të GJND-së dhe në këtë kuadër janë paralajmëruar edhe bisedimet e mundshme me Beogradin. A mund të jetë veriu temë e këtyre bisedimeve?

Hashim Thaçi: Për neve, gjendja aktuale është e papranueshme në veri. Atje duhet dhe po punojmë që të vihet ligjshmëria e plotë në bazë të kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Për formimin e komunës së re dhe organizimin e zgjedhjeve të lira. Në të njëjtën kohë nuk do të ketë në asnjë rrethanë, më asnjë çmim negociata për statusin apo kthim prapa për Kosovën apo për integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Këto çështje janë të përmbyllura njëherë e përgjithmonë. Ndërsa jemi të gatshëm për ndërtimin e relacioneve të reja mes Kosovës dhe Serbisë si dy shteteve të veçanta, natyrisht si me vendet tjera fqinje. Është në interesin e paqes, stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës euroatlantike të rajonit.

XS
SM
MD
LG