Lidhje

Thaçi: Përfaqësimi rajonal - zgjidhja më e mirë e mundshme për Kosovën


Thaçi: Përfaqësimi rajonal - zgjidhja më e mirë e mundshme për Kosovën

Thaçi: Përfaqësimi rajonal - zgjidhja më e mirë e mundshme për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se pajtimi për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale, nuk është zgjidhja ideale, por është zgjidhja më e mirë e mundshme. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai tha se rezoluta 1244 ndërlidhet drejtpërdrejtë me tërësinë tokësore të Kosovës dhe është përmendur disa herë edhe në dokumentin e shpalljes së pavarësisë. Kjo rezolutë, bashkë me deklaratën e pavarësisë dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, tha ai, janë dokumente ndërkombëtare që e plotësojnë njëra tjetrën në fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, pajtimi juaj që Kosova të paraqitet në forumet rajonale me një shënim, që do të përfshinte edhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB- së, ka nxitur shumë reagime në të cilat thuhet se kësisoj ju keni hequr dorë nga shtetësia? Si ju përgjigjeni?

Hashim Thaçi: Unë respektoj lart opinionet e paraqitura, të ndryshme rreth problematikave në Republikën e Kosovës. Të të gjithë njerëzve në opinionin publik, të spektrit politik. Ky është viti 2012, viti i përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, viti i konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë. Kemi fituar 88 njohje. Është viti i perspektivës evropiane për Republikën e Kosovës. Kemi realizuar deri më tani shtatë marrëveshje apo konkluzione të përbashkëta me shtetin e Serbisë si shtet i Kosovës, dialog ky teknik i udhëhequr nga BE-ja me mbështetjen e drejtpërdrejtë dhe të fuqishme të SHBA-ve. Edhe sa i përket konkluzionit për bashkëpunim regjional, Kosova do të përfaqësohet me deklaratën e pavarësisë së 17 shkurtit 2008, me dokumentin e presidentit (Martti) Ahtisaari, si bazë për deklaratën e pavarësisë, në përputhshmëri me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare që e rikonfirmoi edhe ndërkombëtarisht shtetin e pavarur dhe sovran. Por, edhe duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, e në të njëjtën kohë edhe me Rezolutën 1244 që respekton dhe garanton integritetin territorial të Republikës së Kosovës, por edhe prezencën e NATO-s në Kosovë. Duhet të kemi parasysh se jo të gjitha vendet në rajon e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ato vendime u takojnë atyre vendeve se kur do t’i marrin. Prandaj, nuk është zgjidhja ideale, por është zgjidhja më e mirë e mundshme në realitetin aktual të bashkëpunimit regjional dhe perspektivës evropiane për Republikën e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Por, zoti Kryeministër, kritikët ju rikujtojnë se vetëm pak ditë më parë ju thatë se nuk do të hiqni dorë nga Republika, madje këtë nuk do ta bëni edhe nëse të gjithë të tjerët pajtohen me një gjë të tillë? Çfarë ndodhi ndërkohë që ju ndryshuat qëndrim?

Hashim Thaçi: Unë plotësisht jam i përkushtuar që të gjitha vendimet të jenë në përputhshmëri me deklaratën e pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008 dhe kjo po ndodhë. Në përputhshmëri me kushtetutën e ligjet e Kosovës, me dokumentin e presidentit Ahtisaari. Prandaj ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjithë aktorët ndërkombëtarë edhe me BE-në edhe më SHBA-të dhe me prezencën e NATO-s. Rezoluta 1244, ndërlidhet drejtpërdrejtë me integritetin territorial të Kosovës. Rezoluta 1244 është e përmendur disa herë edhe në dokumentin e shpalljes së Kosovës të pavarur e sovrane. Kështu që këto janë dokumente ndërkombëtare që e plotësojnë njëra tjetrën në fuqizimin e shtetit të Kosovës. Por, në aspekte të ndryshme, unë e kam përmendur edhe më herët, kjo rezolutë ka qenë dhe mbetet e tejkaluar, por kjo rezolutë, është në brendësi dhe substancë të deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Por, e ritheksoj edhe njëherë, Kosova do të përfaqësohet në përputhshmëri dhe me deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Por jo si Republikë, siç e përcakton kushtetuta e saj?

Hashim Thaçi: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe deklarata e pavarësisë së saj i përcakton të gjitha. Dhe është shumë e qartë, për të gjithë, pa dallim.

Zëri i Amerikës: Cilat janë përfitimet e Kosovës nga ky kompromis, sepse qartazi bëhet fjalë për një kompromis?

Hashim Thaçi: Bëhet fjalë për një konkluzion të përbashkët në interesin e dy shteteve dhe popujve tanë, të bashkëpunimit regjional, të perspektivës evropiane të rajonit, të integrimit në 36 organizata regjionale, por edhe në pakon konkrete evropiane për liberalizimin e vizave, marrëdhënieve kontraktuale, tregtare me BE-në. Anëtarësimin e shpejt të Kosovës në BERZH, si dhe fillimin e procesit të stabilizim-asociimit. Dhe afrimin e shpejtë të Kosovës drejt strukturave euro-atlantike edhe drejt partneritetit për paqe, por edhe drejt perspektivës konkrete evropiane. Kjo është politika e integrimeve dhe jo e izolimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, me lejoni të kthehem prapa. Liberalizimi i vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale e tregtare ishin edhe më parë pjesë e agjendës...

Hashim Thaçi: Tash kemi zotimin e përshpejtimit të kësaj agjende konkrete evropiane dhe ky është një zotim i përbashkët edhe i BE-së në koordinim të ngushtë dhe me mbështetje të fuqishme edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zëri i Amerikës: A ishte trysnia evropiane dhe amerikane vendimtare?

Hashim Thaçi: Realisht, fillimisht ka qenë vetëm propozimi për rezolutën 1244, një propozim që është refuzuar në mënyrë kategorike nga ana ime. Sot, kemi të integruar në formulimin e fundit deklaratën e pavarësisë së Kosovës dhe opinionin e GJND-së, që rikonfirmon pavarësinë e Kosovës edhe ndërkombëtarisht. Pra, nga e shtuna kemi progres në integrimin e propozimeve të Kosovës. Përndryshe, në asnjë rrethanë, vetëm me përfshirjen e Rezolutës 1244 nuk do të vinte në konsiderim.

Zëri i Amerikës: A nuk druani se Kosova mund të kalojë më keq se sa Maqedonia e cila po i vuan pasojat e atij shënimi për shkak të mospajtimit të Greqisë me emrin e saj. Kosova ndërkaq mospajtimet me Serbinë i ka më të thella?

Hashim Thaçi: Ne kemi shënuar sukses të jashtëzakonshëm. Kemi 88 njohje. Por, në të njëjtën kohë kemi sfida dhe ballafaqime. Serbia nuk e ka njohur Kosovën. Ky konkluzion që po arrihet gradualisht, është një konkluzion që respekton realitetet e Kosovës së pavarur dhe sovrane, por edhe realitetin e mosnjohjes nga Serbia. Prandaj, ne duhet të lëvizim në këtë zgjidhje të balancuar, një zgjidhje që e konsolidon shtetin e Kosovës, por në të njëjtën kohë, nuk do të jetë e refuzueshme edhe prej vendeve të rajonit.

Zëri i Amerikës: Do ta pranojë Serbia një gjë të tillë?

Hashim Thaçi: Në çdo rrethanë deklarata e pavarësisë do të jetë në formulimin përfundimtar, do të jetë opinioni i GJND-së dhe do të jetë edhe rezoluta 1244. Është në autoritetin e Beogradit e pranon apo nuk e pranon.

Zëri i Amerikës: Edhe analistë të huaj kanë tërhequr vërejtjen se shënimi apo fusnota, do të mbyllë në kurth Kosovën duke e bllokuar atë. A keni drojë se kjo mund të forcojë kundërshtimet e atyre që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës?

Hashim Thaçi: Për Kosovën, po vijnë njohje të reja çdo ditë gati. Ka pasur opinione të ndryshme nga faktori ndërkombëtarë, ka pasur trysni prej disa faktorëve ndërkombëtarë që të pranohet në formulim vetëm rezoluta 1244. Ka qenë e refuzuar në mënyrë kategorike nga ana e institucioneve të Kosovës. Tani, ne kemi propozuar përfshirjen në formulim, në substancën e kësaj marrëveshjeje deklaratën e pavarësisë dhe opinionin e GJND-së. Prandaj, ky është versioni që respekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës, deklaratën e pavarësisë së Kosovës, shtetësinë e Kosovës, kushtetutën dhe ligjet e saj.

Zëri i Amerikës: Po u kthehem prapë tek vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. A nuk do t’u shërbejë atyre si një mundësi për të zvarritur edhe më tej procesin e njohjes, meqë Kosova po pranon të paraqitet pa Republikë?

Hashim Thaçi: Kosova do të paraqitet si vend i pavarur dhe sovran. Pesë vende të BE-së, ende nuk e kanë njohur pavarësinë. Por, BE-ja është unike në mbështetjen e agjendës evropiane për Kosovën. Kjo agjendë padrejtësisht deri më tani është vonuar për Republikën e Kosovës nga disa pengesa të disa vendeve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë, apo disa pengesa të tjera burokratike. Ne kemi punuar në mënyrë të njëanshme sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe disa procese të tjera evropiane. Por, e ritheksoj edhe njëherë, do të kemi vështirësi, por një është e sigurt. Kosova do të lëvizë shpejt drejt integrimeve në strukturat euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, a është ky kompromis një favor që i bëhet pushtetit aktual në Serbi para se të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe zgjedhjeve që do të mbahen atje në maj të këtij viti?

Hashim Thaçi: Nga vendimet e institucioneve të Kosovës, Serbia nuk ka përfituar kurrë dhe nuk do të përfitojë. Kosova është shtet sovran i veçantë, Serbia është shtet i veçantë. Nuk është një agjendë. Të dyja vendet do të jenë pjesë e BE-së dhe e NATO-s. Fqinjësia e mirë ndihmon njëra tjetrën. Dhe në anën tjetër raportet e ndera e pengojnë njëra – tjetrën. Ne kemi fituar betejat me Serbinë edhe në Rambouillet edhe pas Rambouillet edhe ne Vjenë edhe me bërjen e Kosovës së pavarur. Edhe tash në procesin e njohjeve. Bashkimi Evropian e ka agjendën e vet të ndarë për Serbinë dhe agjendën e vet të ndarë për Kosovën. Kështu që, filozofia ime është që Kosova sa më shpejt të lëvizë drejt strukturave euro-atlantike dhe kjo po ndodhë gradualisht me gjithë vonesat, por jemi të fundit që jemi pavarësuar dhe kemi fituar lirinë. Por edhe që gjithë rajoni të evropianizohet. Ne me vendimet ose mos vendimet tona, as nuk e pengojmë, as nuk e ndihmojmë Serbinë për t’u integruar në BE. Dhe BE-ja bën vlerësimin e implementimit të kritereve për secilin shtet veç e veç.

XS
SM
MD
LG