Lidhje

Historiku i centralit bërthamor Bushehr të Iranit


Inxhinierë rusë dhe iranianë po mbushin me karburant uraniumi centralin e parë të energjisë bërthamore në Bushehr. Në vijim - një vështrim mbi historinë e projektit.

Bushehri është centrali i parë i energjisë bërthamore në Iran dhe ndodhet në pjesën juperëndimore të vendit.

John Parker, ekspert për çështje ruse dhe iraniane në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare thotë se ndërtimi i centralit ka marrë shumë kohë.

“U fillua nga centrali gjerman Siemens, që kishte lidhur marrëveshje me qeverinë e Shahut në vitet 1970 dhe vazhdoi punimet aty nga viti 1974 deri më 1980, kur puna u ndërpre për shkak të luftës me Irakun. Më pas, qeveria e Republikës Islamike kërkoi një kontraktor të ri por pati vështirësi të gjente dikë që kishte interes në këtë projekt.”

Zoti Parker thotë se kur ishte në pushtet udhëheqësi sovjetik Mihail Gorbaçov, të dy palët nënshkruan një marrëveshje më 1989 që përfshin dispozita për bashkëpunim në çështje bërthamore dhe përdorim paqësor të energjisë atomike.

“Rusia pas shpërbërjes së Bashkimit Sovietik po përballej me vështirësi ekonomike dhe ishte e interesuar për përfitime kudo, por edhe industria bërthamore ishte në gjendje të rëndë pas katastrofës së Çernobilit më 1986. Prandaj, bisedimet filluan ndërmjet Rusisë dhe Republikës Islamike rreth vitit 1992. Ato nënshkruan një kontratë për të ndërtuar centralin e Bushehrit në tetor 1995. Mendohej se do të merrte 55 muaj për ta përfunduar, që do të thotë se punimet do të duhej të fillonin në pranverën e vitit 2000. Pra rreth 10 vjet me vonesë. Kapaciteti i uzinës bërthamore do të ishte njëmijë megavat energji.”

Më 21 gusht, inxhinierët filluan të furnizojnë centralin e Bushehrit – hapi i parë për ta futur atë në funksion si central për prodhimin e energjisë.

Greg Thielmann nga një qendër kërkimore private, Shoqata për Kontrollim të Armëve, shprehet kështu:

“Rusët po ofrojnë uranium të pasuruar në shkallë të ulët dhe gjithashtu janë zotuar se do ta largojnë karburantit e shpenzuar që është shumë e rëndësishme për parandalimin e prodhimit të armëve, meqë nuk mund të përdoret më pas për qëllime jo të mira nga iranianët. Procesi do të jetë nën vëzhgimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore – për t’u siguruar që centrali nuk do të ndihmojë në zhvillimin e ndonjë programi të armëve bërthamore.”

John Parker thotë se do të duhet kohë para se centrali i Bushehrit të fillojë prodhimin.

“Ka disa faza që duhen kaluar para se të fillojë përftimi i rrymës. Ata e ngarkojnë karburantin, bëjnë gjitha llojet e provave – që mund të marrin dy ose tre muaj në kushte normale. Prandaj nuk do të prisja që prodhimi të fillojë së paku para vjeshtës.”

Irani ka këmbëngulur gjithmonë se programin bërthamor e ka për qëllime paqësore. Por bashkësia ndërkombëtare është përpjekur të ushtrojë trysni ndaj Iranit për ta ndaluar programin e pasurimit të uraniumit në një uzinë tjetër – në Natanz. Pasurimi në shkallë të lartë i uraniumit mund të çojë në prodhimin e armës bërthamore. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka miratuar katër palë sanksionesh kundër Iranit.

Ekspertët thonë se reagimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj nisjes së centralit në Bushehr ka qenë i heshtur, me përjashtim të Izraelit që e quajti centralin “të papranueshëm”.

Greg Thielmann thotë se edhe Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar mendimin. Ai thotë se në fillim, gjithçka që do të rriste aftësinë e Iranit për prodhimin e energjisë bërthamore ishte shqetësuese.

“Me kohë, konsultimet amerikano-ruse deri diku kanë siguruar qeverinë amerikane dhe me marrëveshjen për furnizim me karburantë dhe largimin e karburantëve të shpenzuar, shqetësimet amerikane janë pakësuar. Ato po e pranojnë që Irani ka fituar goxha përvojë përmes programit të pasurimit të uraniumit në Natanz, saqë çfarëdo njohurie apo përvoje shtesë që përfiton në Bushehr nuk do të ishte aq domethënëse për programin e mundshëm të armëve bërthamore.”

Ekspertët thonë se reagimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj hapjes së centralit në Bushehr nuk do të thotë se do të zbutet trysnia ndaj Iranit për të hequr dorë nga programi i pasurimit të uraniumit.

XS
SM
MD
LG