Lidhje

Ajatollahu i Iranit akuzon Shtetet e Bashkuara si "kriminel bërthamor"


Udhëheqësi suprem i Iranit i ka quajtur Shtetet e Bashkuara “kriminelin e vetëm bërthamor të botës”. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë konferencës bërthamore që po mbahet në Teheran.

Ajatollah Ali Khamenei akuzoi sot Uashingtonin se ndërkohë që pretendon se është kundër armëve bërthamore nuk merr masa për pakësimin e këtyre arsenaleve. Ai shtoi se prodhimi i armëve bërthamore është i ndaluar në bazë të ligjit fetar të Iranit.

Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad hapi sot takimin dy ditor të nivelit të lartë, duke bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të përjashtohen nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Ai tha se vetëm vendet që nuk kanë armë bërthamore duhet të rishikojnë traktatin e mospërhapjes së tyre.

Qeveria e Iranit tha se në konferencë marrin pjesë zyrtarë nga 6 vende.

Diplomatë nga Siria, Libani dhe Iraku u shprehën sot në mbështetje të së drejtës së Iranit për të zhvilluar një program bërthamor për përdorime paqësore.

Fuqitë botërore besojnë se Irani po ndërton në mënyrë sekrete armë bërthamore, akuzë që republika islamike e hedh poshtë.

XS
SM
MD
LG