Lidhje

Këshilli i Sigurimit i OKB miraton sanksione të reja ndaj Iranit

  • Dan Robinson

Presidenti Barak Obama tha se votimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me 12 vota pro, 2 kundër dhe një abstenim për vendosjen e raundit të katërt të sanksioneve kundër Iranit është një sinjal i pagabueshëm për qeverinë e Iranit se ajo duhet të ndryshojë kurs për sa i përket programit të vet bërthamor.

Presidenti tha se votimi ishte një përgjigje ndaj dështimit të Iranit për të përmbushur detyrimet dhe përgjegjësitë ndërkombëtare në bazë të traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore si dhe dështimit për të përmbushur kërkesat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Duke shqyrtuar një seri veprimesh të Iranit, përfshirë vendimin për pasurimin e uraniumit në nivelin prej 20 për qind, fshehjen e një qendre të rëndësishme bërthamore dhe ndërtimin e disa mijëra centrifugëve, presidenti Obama tha se votimi tregon se Irani duhet të ndryshojë kurs.

“Qeveria iraniane duhet ta kuptojë se siguria e vërtetë nuk do të vijë nëpërmjet zotërimit të armëve bërthamore. Siguria e vërtetë do të vijë nëpërmjet respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe demonstrimit të synimeve paqësore”.

Turqia dhe Brazili, të cilat negociuan një marrëveshje për karburantin bërthamor me Teheranin, votuan kundër rezolutës, ndërkohë që Libani abstenoi. Me konsecionet e bëra që të sigurohej mbështetja e Rusisë dhe Kinës, rezoluta nuk është aq e fuqishme sa synonin Shtetet e Bashkuara.

Ajo bën thirrje për marrjen e masave kundër bankave iraniane që dyshohet se angazhohen në programe bërthamore ose raketash, madje përmend më shumë se 30 kompani, njësi dhe individë që kanë lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit. Rezoluta shtrin edhe më tej një embargo armësh të Kombeve të Bashkuara si dhe vendos kufizime udhëtimi dhe bllokon pasuritë e 40 individëve.

Irani menjëherë e hodhi poshtë rezolutën. Presidenti Mahmoud Ahmadinexhad tha se rezoluta nuk ka vlerë dhe, siç u shpreh ai, duhet hedhur në plehra.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs nuk i kushtoi rëndësi dështimit nga ana e Shteteve të Bashkuara që të siguronte votimin e njëzëshëm për rezolutën.

“Njerzit mund të debatojnë lidhur me numrin e votave, por gjëja kryesore është se qeveria e Iranit përballet sot me një raund më të madh sanksionesh se asnjëherë më parë”.

Presidenti Obama tha se dyert ende nuk janë mbyllur për një zgjidhje diplomatike me Iranin, madje ai shtoi se sanksionet nuk synojnë të godasin popullin iranian. Presidenti shfaqi shpresën se qeveria e Teheranit do të ndryshojë kurs në të ardhmen.

“Dua dhe shpresoj për popullin e Iranit që qeveria e atij vendi të bëjë një zgjedhje tjetër. Teherani mund të bëjë një zgjedhje tjetër dhe të ndjekë një kurs që riafirmon traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore si bazë e çarmatimit dhe mospërhapjes së armëve të tilla në botë, kurs ky që do të avanconte sigurinë dhe begatinë e vetë Iranit si dhe paqen në botë”.

Në kongresin amerikan, anëtarë demokratë me peshë e përshkruan votimin në Këshillin e Sigurimit si një fitore diplomatike për presidentin Obama, që do të hapë rrugën për masa të tjera në të ardhmen. Republikanët e cilësuan rezolutën si të dobët dhe të pazbatueshme.

XS
SM
MD
LG