Lidhje

SHBA kërkon sanksione kundër Iranit

  • Ravi Khana

Ndërsa Shtetet e Bashkuara kërkojnë mbështetje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për sanksione të reja ndaj Iranit, Teherani vazhdon ta sfidojë komunitetin ndërkombëtar, duke thënë se programi i tij bërthamor ka synime paqësore dhe jo ushtarake. Kjo çështje ka nxitur debatin në se sanksionet e reja do të jenë të efektshme apo do të duhet të ndërmerret një veprim ushtarak.

Megjithë presionin ndërkombëtar, Irani vazhdon ta fuqizojë programin e vet bërthamor, duke pasurur uranium në nivele që thuhet se janë pranë shkallës së nevojshme për prodhimin e armëve bërthamore. Kjo i ka bërë ekspertët në Washington të debatojnë lidhur me qëndrimin që duhet të mbajnë fuqitë botërore. John Bolton ka qenë ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara në vitet e presidencës së Xhorxh Bushit.

"Në se kihet parasysh se alternativa është ose masat parandaluese, si përdorimi i forcës, ose në të kundërt, një Iran me armë bërthamore, e kupton se përse forca ushtarake, është fatkeqësisht një zgjidhje që mund të shtrohet në tryezë".

Megjithëse, zoti Bolton thotë se masat parandaluese janë zgjedhja e vetme, komuniteti ndërkombëtar është përqëndruar tek ruajtja e presionit diplomatik ndaj Iranit dhe tek arritja e një marrëveshjeje për sanksione të reja. Ministri i Jashtëm britanik David Milliband foli për këtë çështje gjatë një vizite në Kinë.

"Britania dhe Kina jo vetëm që kanë rënë dakord lidhur me qëllimin, që Irani të respektojë një traktat për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe të mos bëhet një shtet me armë bërthamore. Ne kemi rënë dakord edhe për mënyrat për arritjen e kësaj, që është një kombinim i angazhimit dhe presionit".

Sanksionet e reja ndaj Teheranit mund të venë në objektiv firmat iraniane të sigurimeve dhe bankat dhe të imponojnë ndalimin e udhëtimit për një numër më të madh individësh.

Por Rusia dhe Kina vazhdojnë të hezitojnë. Izraeli është në anën e kundërt. Ai ndjehet i kërcënuar drejtpërdrejt nga Irani dhe ka ushtruar presion të madh për marrjen e masave të rrepta. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se po diskutohen të gjitha mundësitë, duke lënë të kuptohet se kjo përfshin edhe ndërhyrjen ushtarake.

Por kohët e fundit, kryeministri Benjamin Netanjahu po ashtu miratoi idenë e sanksioneve të reja.

"Sa më të forta të jenë këto sanksione, aq më e madhe është mundësia që regjimit iranian t’i duhet të zgjedhë mes çuarjes përpara të programit të tij bërthamor dhe së ardhmes së tij".

George Perkovitch i Institutit Carnegie Endowment për Paqen në Botë thotë se edhe në se sanksionet nuk kanë rezultat, Irani duhet ta dijë se do të paguajë për sjelljen e tij.

"Kjo mundet të mos e ndryshojë sjelljen e Teheranit, por sjellja e tij duhet të ketë një kosto. Dhe nga ana tjetër, ne duam t’i komunikojmë një mesazh vendeve të tjera, të cilët mund të duan të ndjekin shembullin e Iranit".

Mundësia e ndryshimit të regjimit në Iran është ngritur nga disa ekspertë, por George Perkovitch thotë se në kushtet kur Garda Revolucionare është më e fortë se kurrë, ka një pikëpyetje.

"Si mund të zëvendësohen Rojet Revolucionare, që kjo organizatë të dale jashtë loje, të humbë pushtetin, në mënyrë që në Iran të ndodhë një ndryshim i vërtetë i regjimit".

Në kushtet kur Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara thellësisht në Irak dhe Afganistan, mundësia e Washingtonit për të ushtruar presion ushtarak në Iran është me pikëpyetje, thotë Flynt Leverett i Fondacionit New America.

"Edhe në se në këtë moment ne duam të projektojmë çuarjen e një sasie të madhe armësh konvencionale në Gjirin Persik, apo gjetkë, do të na duhet ta bëjmë këtë me para të marra hua".

Administrata Obama po i mbështet sanksionet, thonë ekspertët, sepse zgjedhjet e tjera që ekzistojnë janë më të këqija. Po zyrtarët thonë se nuk është e qartë në se ambiciet bërthamore të Iranit, civile, apo ushtarake, mund të kufizohen për një kohë të gjatë.

XS
SM
MD
LG