Lidhje

Irani njofton testimin e një sistemi të ri të mbrojtjes ajrore


Iran missile
Iran missile

Media shtetërore iraniane thotë se vendi ka vënë në provë me sukses një gjeneratë të re raketash të mbrojtjes ajrore në ditën e fundit të manovrave luftarake që zgjatën pesë ditë.

Njoftimet e medias citojnë gjeneralin Mohammad Hassan Mansourian të ketë thënë se raketa e prodhimit iranian, e tipit S-200, ka të njëjtin kapacitet me sistemin S-300 të Rusisë.

Në shtator, Presidenti rus Dmitri Medvedev ndaloi dërgimin e raketave S-300 në Iran në përputhje me sanksionet e OKB-së ndaj Teheranit për shkak të programit të tij kundërthënës bërthamor.

Më parë këtë javë, Irani tha se ka testuar me sukses një tjetër sistem mbrojtës raketor të quajtur Mersad.

Njoftimet iraniane thonë se në stërvitjet e sotme, njësitë ushtarake përdorën gjithashtu raketa me rreze të mesme veprimi dhe sisteme artilerie për të rrëzuar avionë të telekomanduar, që simulonin sulme ajrore të armikut.

Teherani zhvillon manovra luftarake disa herë në vit, shpesh duke paraqitur sisteme të reja ushtarake. Forca ajrore e vendit tha se stërvitja e fundit ishte më e madhja e këtij lloji.

XS
SM
MD
LG