Lidhje

A mund t’i asgjesonte objektet bërthamore iraniane një sulm izraelit?

  • Gary Thomas
  • Zëri Amerikës

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vjen në Washington javën tjetër për të diskutuar rreth shqetësimeve të shtuara të vendit të tij mbi programin bërthamor të Iranit. Zyrtarët izraelit kanë paralajmëruar lidhur me mundësinë e një sulmi parandalues ndaj objekteve bërthamore iraniane, por Shtetet e Bashkuara po mundohen t’i ndryshojnë mendjen Izraelit mbi një veprim të tillë. Sikurse na njeh materiali në vazhdim, një sulm do të paraqiste pengesa të mëdha për Izraelin dhe do të sillte një ndalesë të përkohëshme të aktiviteteve iraniane për të prodhuar armë bërthamore.

Izraeli është i shqetësuar se një “dritare mundësie” po mbyllet me shpejtësi ndërkohë që Irani fillon të zhvendosë objektet e pasurimit të uraniumit në tunele të përforcuara. Shqetësimi ka ngritur debate për bombardime nga Izraeli dhe sulme me raketa ndaj objekteve iraniane.

Michael Eisenstadt, drejtor për Studime Ushtarake dhe të Sigurisë në Insitutin e Washingtonit për Politikat e Lindjes së Afërme, thotë se aeroplanët izraelit mund të godasin objektivat iranian nëse i dinë se ku ndodhen të gjitha.

“Ata kanë të gjitha mjetet e duhura për goditjen e këtyre objekteve. Pyetja qendron nëse ata kanë informacionet e duhura dhe nëse kanë aftësinë për të shkaktuar dëme të mjaftueshme për të justifikuar rrezikun sipas këndvështrimit të tyre.”

Por analistët thonë se për një goditje të suksesshme, plani i sulmit duhet të jetë i përkryer, informacionet pa gabime, moti i qetë dhe saktësia e goditjes e lartë.

Analistët thonë se Izraeli duhet të bllokojë sistemet iraniane të paralajmërimit dhe po ashtu të shkatërrojë mbrojtjen ajrore, duke menduar se e dinë se ku ndodhen ato.

Histriani i zbulimit Mathew Aid thotë se shanset për sukses, teorikisht, janë të mira. Ai ngre pyetjen nëse Izraeli ka bomba të fuqishme, të njohura si “shkatërruesit e bunkerëve” që janë në gjendje të shkatërrojnë objektet e përforcuara.

“Ata mund të jenë në gjendje të dëmtojnë keq objektin Natanz të pasurimit të uraniumit pranë qytetit Esfahan. Por objekti Fordow i pasurimit të uraniumit pranë qytetit të shenjtë Qom, është ndërtuar në një anë mali dhe mund të jetë i papërshkueshëm nga bombat që ka Izraeli.”

Çdo rrugë ajrore nga Izraeli për në Iran kërkon furnizim me karburant në ajër, duke i bërë avionët luftarakë të pambrojtur në qiejt e pafavorshëm të vendeve si Jordania, Iraku, Arabia Saudite apo Siria. Por Michael Eisenstadt, mendon se kjo mund të mos jetë problematike.

“Duke patur parasysh qendrimin e botës arabe mbi Iranin dhe programin bërthamor të tij, mendoj se shumë vende arabe do ta mbështesnin në qetësi veprimin e Izraelit. Nëse Izraeli do të përdorte hapësirën ajrore të këtyre vendeve për sulmin, nuk mendoj se ato do bënin ndonjë gjë.”

Por analistët pajtohen në një pikë, çdo sulm ndaj Iranit më së miri do të pezullonte programin bërthamor ndoshta për një vit ose dy dhe do të ishte ftesë që Irani të hakmerrej ndaj Izraelit dhe ndoshta edhe kundër Shteteve të Bashkuara dhe po ashtu interesave të saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG