Lidhje

Obama, thirrje Izraelit të zbulojë faktet për sulmin ndaj flotiljes me ndihma


Obama, thirrje Izraelit të zbulojë faktet për sulmin ndaj flotiljes me ndihma
Obama, thirrje Izraelit të zbulojë faktet për sulmin ndaj flotiljes me ndihma

Presidenti amerikan Barak Obama i bëri thirrje kryeminstrit izraelit Benjamin Netanjahu të zbulojë të gjitha faktet për sulmin vdekjeprurës ndaj flotiljes ndërkombëtare me ndihma që udhëtonte drejt Gazës.

Dy udhëheqësit biseduan sot me telefon, pak pasi zoti Netanjahu anuloi vizitën e tij në Uashington për arsye të incidentit. Kryeministri izraelit do të vinte nesër në Uashington.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Obama shprehu keqardhje të thellë për jetët e humbura gjatë incidentit dhe tha se kishte rëndësi të zbardheshin rrethanat.

Presidenti Obama ishte shprehur se e kuptonte vendimin e zotit Netanjahu për t’u kthyer menjëherë në Izrael. Dy udhëheqësit ranë dakord të caktojnë një datë tjetër, sa më parë që të jetë e mundur, për takimin e tyre.

INCIDENTI

Forcat e marinës izraelite sulmuan një flotilje me 6 anije që po transportonin ndihma për në Rripin e Gazës. Forcat speciale izraelite vranë mbi 10 vetë nga pasagjerët e anijeve. Forcat izraelite e interceptuan flotiljen gjatë natës, hipën në anije pasi zbritën nga helikopterët dhe hapën zjarr në të paktën njërën prej anijeve. Aktivistët thonë se të paktën 30 vetë u plagosën.

Ushtria izraelite thotë se forcat e saj hapën zjarr pasi aktivistët i sulmuan me thika, tuba metalikë e gurë dhe me armë zjarri. Ushtria thotë se përleshja shpërtheu, pasi protestuesit i morën armën nga dora një ushtari. Nga përleshja mbetën të plagosur disa ushtarë.

Zëvendës ministri i Jashtëm izraelit Danny Ayalon akuzoi organizatorët e flotiljes se kishin synime të dhunshme. Por përfaqësuesit e Lëvizjes Gaza e Lirë thonë se po përpiqen të tërheqin vëmendje mbi bllokadën 3 vjeçare ndaj Gazës.

Presidenti palestinez Mahmud Abaz e dënoi operacionin izraelit, duke e cilësuar si masakër. Ministria e Jashtme turke tha se ndërhyrja izraelite ishte e papranueshme dhe paralajmëroi Izraelin se do të ndeshet me pasoja.

XS
SM
MD
LG