Lidhje

2010-a, vit i vështirë për paqen në Lindjen e Mesme

  • Luiz Ramirez

2010-a, vit i vështirë për paqen në Lindjen e Mesme

2010-a, vit i vështirë për paqen në Lindjen e Mesme

Në 2010-ën, u bënë disa hapa përpara në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez. Por viti përfundoi me pakënaqësi, ku të dy palët gjenden shumë larg njëra tjetrës në çështjen kryesore të kufijve, vendbanimet hebre në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe statusin e Jeruzalemit.

Në fund të çdo viti, Imran Akram, një fermer palestinez pranë qytetit Nablus të Bregut Perëndimor, mbledh ullinjtë nga pemët e ullishtes së tij. Këtë vit nuk ka të korra.

Ai po përpiqet ta shpëtojë ullishten pas një sulmi, siç thotë ai, nga banorë të një vendbanimi hebre aty pranë. Ata ia kanë prerë pemët sepse ata duan ta dëbojnë nga toka e tij, thotë ai.
Për të, 2010-a filloi me shpresën se bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara do t’i jepnin fund pushtimit izraelit, por shpresa u zbeh.

"Para bisedimeve, kisha 40 apo 50 për qind shpresë se negociatat do të kishin sukses dhe se paqja do të arrihej. Fatkeqësisht, të gjitha këto negociata kanë qënë dështim."

Përpjekjet amerikane për t’i kthyer izraelitët dhe palestinezët në bisedime u intensifikuan në fillim të vitit kur i dërguari i posaçëm i presidentit Obama, Xhorxh Miçëll, shjkoi disa herë në rajon. Në muajin maj, Lidhja Arabe mbështeti bisedimet jo të drejtpërdrejta. Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat.

"Ajo që dëgjuam sot nga amerikanët i përmbush kërkesat tona, dhe ne shpresojmë të shohim vepra dhe jo fjalë."

Palestinezët thanë se do të ishin dakort për bisedime të drejtpërdrejta vetëm nëse Izraeli do t’i ndalonte ndërtimet e vendbanimeve në Bregun e pushtuar Perëndimor. Shtetet e Bashkuara ushtruan trysni dhe Izraeli deklaroi një ngrirje të pjesshme 10-mujore të ndërtimeve hebreje në shenjë mirëkuptimi.

Bisedimet e drejpërdrejta filluan në Uashington në shtator.

"Me praninë tuaj këtu sot, secili prej jush ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt çlirimit të popullit tuaj nga një histori që nuk mund ta ndryshojmë, por që mund të ecim përpara drejt një të ardhmeje paqësore dhe me dinjitet, që vetëm ju mund ta krijoni," tha Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton.

Por shpresa për paqe nuk zgjati shumë. Brenda disa javësh, Izraeli lejoi që afati i pezullimit të ndërtimeve të skadonte.

Ndërtimet rifilluan. Palestinezët lanë bisedimet. I dërguari i posaçëm amerikan Xhorxh Miçell u kthye në rajon.

"Jemi të vendosur të vazhdojmë përpjekjet për gjetjen e një rruge të mesme për palët për të bërë të mundur që negociatat e drejtpërdrejta të vazhdojnë."

Shtetet e Bashkuara i ofruan Izraelit aeroplanë luftarakë dhe garanci diplomatike në këmbim të vazhdimit të ndërtimeve, në mënyrë që bisedimet të rifillonin.

Izraeli hezitoi dhe në fillim të dhjetorit Shtetet e Bashkuara e tërhoqën ofertën. Shumë izraelitë nuk duan që qeveria e tyre të zhvillojë bisedime me palestinezët.

Shumë izraelitë mendojnë se tërheqja nga Gaza në vitin 2005 solli sulmet me raketa nga kjo enklavë. Gaza u mor nga militantët e Hamasit pas tërheqjes së Izraelit. Shumë besojnë se tërheqjet e mëhershme nga territoret arabe nuk e kanë ndihmuar Izraelin të fitojë miq të rinj apo siguri më të madhe.

Për palestinezë si Imran Akram, pakënaqësia vetëm rritet, ndërkohë që premtimi i përfundimit të pushtimit izraelit dhe krijimi i një shteti palestinez nuk duken në horizont. Ai thotë se ndërmjetësuesit amerikanë, udhëheqësit izraelitë e ata palestinezë duhet të gjejnë një zgjidhje sa më shpejt.

"Unë u kërkoj të gjitha shteteve të na lejojnë të jetojmë në paqe. Kur kolonët izraelitë erdhën dhe prenë të gjitha pemët e mia, unë po punoja, merresha me bujqësi. E gjithë jeta ime është tek këto pemë. Kur t’i presin pemët, çfarë më mbetet mua?"

Me mbylljen e vitit 2010, procesi i paqes nuk ka shumë shpresa se 2011-a do të sjellë përfundimin e konfliktit.

XS
SM
MD
LG