Lidhje

Moratoriumi për ndërtime në Bregun Perëndimor, në prag të skadimit


Moratoriumi 10-mujor i Izraelit mbi ndërtimet e reja në Bregun Perëndimor, sipas planit skadon të dielën në orën 22 sipas Grinuiçit. Skadimi i tij kërcënon të minojë bisedimet për paqe në Lindjen e Mesme. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u ka bërë thirrje kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor, të tregohen të matur ndërkohë që afron ora e skadimit të afatit. DPalestinezët kanë thënë se do t’i braktisin bisedimet nëse rifillojnë ndërtimet. Presidenti palestinez Mahmud Abaz, në komentet e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha se mentaliteti izraelit i dominimit dhe ekspansionit po i shtyn palestinezët dhe Lindjen e Mesme drejt një cikli dhune. David Axelrod, një ndër këshilltarët kryesorë të presidentit Obama tha sot në një intervistë për rrjetin ABC se Shtetet e Bashkuara janë shumë të interesuara për vazhdimin e bisedimeve që i konsiderojnë si një mundësi e paparë për arritjen e një marrëveshjeje të paqes.

Deri tani, përpjekjet për kompromis mes palëve nuk kanë dhënë rezultat. Qeveria izraelite është nën presion të fortë nga elementët më radikalë që kërkojnë rifillimin e ndërtimeve. Kolonët hebrenj dhe përkrahësit e tyre i kanë bërë presion kryeministrit Benjamin Netanjahu të mos miratojë zgjatje të kufizimeve. Disa prej tyre kanë planifikuar një tubim ku të numërojnë minutat dhe sekondat e fundit deri në skadimin e moratoriumit:

“Mendoj që moratoriumi ishte gabim që në fillim. Ai tregoi shenja dobësia nga ana e politikanëve izraelitë,” thotë Moshe Polak, banor i zonës.

Kreu i këshillit lokal të Efratit, Oded Revivi thotë se duhet ngritur pyetja përse palestinezët nuk e shfrytëzuan periudhën 10-mujore që u ofroi moratoriumi:

“Fakti që kryeministri u bëri një ofertë të tillë palestinezëve dhe ata nuk e shfrytëzuan për 10 muaj, çon në pyetjen përse ata nuk e shfrytëzuan deri tani por pritën deri në minutë të fundit për të filluar negociatat e paqes. Tani krejt papritur, kjo çështje u bë kushti paraprak për të vazhduar bisedimet”.

Vendbanimet janë të shpërndara në të gjithë Bregun Perëndimor, në një territor që palestinezët e quajnë të tyrin, të pushtuar nga Izraeli së bashku me Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin lindor gjatë luftës së vitit 1967.

Palestinezët thonë se ekspansioni izraelit e vështirëson më tej krijimin e një shteti funksional që nuk është i copëzuar nga lagje hebraike.

Husam Zomlot, zëdhënës i ekipit negociues palestinez thotë se nëse Izraeli nuk i zgjat kufizimet e moratoriumit, do të tregonte se ka hequr dorë nga negociatat:

“Jemi në një udhëkryq historik. Nëse ekspansioni, makutëria territoriale izraelite dhe pazarlleqet politike vazhdojnë të diktojnë rrugën përpara dhe t’i bëjnë sfidë vullnetit palestinez dhe atij ndërkombëtar për një marrëveshje historike, atëherë Izraeli do t’u ketë kthyer shpinën bisedimeve. Ne nuk negociojmë mbi termat e pezullimit të ndërtimeve, ne negociojmë përfundimin e pushtimit izraelit dhe zhvendosjen e vendbanimeve të paligjshme. Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk ka elasticitet kur është fjala tek veprime të paligjshme – vjedhja e tokës duhet të ndalë”.

Rreth 300 mijë izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor, pranë një popullate palestineze prej afro 2.5 milionë vetësh. Dy qind mijë izraelitë të tjerë jetojnë në Jeruzalemin lindor, të cilin palestinezët e konsiderojnë si kryeqytetin e atdheut të tyre të ardhshëm.

Kufizimet në ndërtime nuk përfshijnë Jeruzalemin lindor, megjithë këmbënguljen e palestinezëve që ndërtimet të pezullohen edhe në atë zonë.

XS
SM
MD
LG