Lidhje

Dokumentarë të rinj me subjekte nga përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme


Dokumentarë të rinj me subjekte nga përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme
Dokumentarë të rinj me subjekte nga përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme

Shumë izraelitë e palestinezë të thjeshtë po punojnë së bashku për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurtë për këdo në këtë rajon të trazuar. Megjithatë, rrallë herë dëgjojmë reportazhe për individë që punojnë për paqen, pasi mbizotërojnë artikujt negativë për dhunë në Lindjen e Mesme. Por Just Vision, një organizatë jofitimprurëse me seli në Uashington, ka marrë mbi vete misionin për të publikuar histori të tilla në disa filma dokumentarë. Hollësitë i sjell korrespondenti Mohamed Elshinnawi:

Përleshjet e dhunshme ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve tërheqin vëmendjen e medias në të gjithë botën, por përpjekjet e aktivistëve të paqes dhe lëvizjeve paqësore nga të dyja palët, janë thuajse të padukshme. Për këtë arsye, producenti Ronit Avni, vetë hebre e Amerikës, themeloi organizatën Just Vision në vitin 2003.

“Ne realizojmë filma dhe klipe që prezantojnë historitë që zakonisht nuk pasqyrohen: për individë të guximshëm nga të dyja anët e konfliktit, të cilët punojnë pa armë për t’i dhënë fund pushtimit dhe për të vendosur paqen”.

“Unë mbroj të gjithë hebrenjtë dhe historinë e tyre si dhe ato që kanë përjetuar ata,” shprehet një kolon hebre.

“Nuk kam biseduar ndonjëherë me kolonët, por jam gati të ulem të flas me ta tani,” thotë një i ri palestinez.

Një ish-kolon hebre, një palestinez që ka përjetuar humbjen e një personi të afërt dhe të tjerë nga të dyja palët janë personazhet e dokumentarit të organizatës Just Vision. Në dokumentarin me titull Encounter Point - Pika e Ballafaqimit, ata flasin për humbjet që kanë përjetuar dhe për faktin se pavarësisht nga ajo përvojë, janë të gatshëm të punojnë për paqe.

“Përqendrohemi në historitë e tyre, në modelet e suksesit, pra në rastet kur njerëzit vërtetë kanë arritur sukses në ndryshimin e rrethanave. Përqendrohemi tek individët e guximshëm”.

Dokumentari i fundit i organizatës Just Vision, me titull “Budrus” ka marrë çmime dhe pëlqimin e shikuesve në të gjithë botën:

“Është historia e realizimit të ndryshimeve në mënyrë paqësore, është një vështrim mbi ndikimin e drejtpërdrejtë që ka pushtimi tek palestinezët, por është njëkohësisht një pasqyrim i fuqisë së bashkëpunimit ndër-etnik dhe brenda komunitetit palestinez, i fuqisë së lëvizjes pa dhunë për të arritur rezultate dhe i rolit të gruas në këtë process”.

Dokumentari tregon historinë e Ayed Morrar, udhëheqës i një komuniteti palestinez, si dhe vajzës së tij adoleshente. Ata arritën të bashkojnë fshatin e tyre, Budrus dhe të punojnë me aktivistë izraelitë për të shpëtuar këtë fshat në Bregun Perëndimor nga shkatërrimi, gjatë ngritjes së murit ndarës të Izraelit. Në premierën e filmit në Uashington, zoti Morrar u thotë shikuesve në sallë se metoda e tyre e suksesshme ka filluar të përhapet:

“Në Budrus, kur zgjodhëm rrugën pa dhunë, e dinim se nuk ishte e lehtë, por e kishim për detyrë dhe ishte gjithashtu e drejta jonë të luftonim pushtimin. Vetëm një muaj pasi Budrusi filloi betejën e tij, rreth 15 fshatra u bashkuan duke përdorur të njëjtën strategji, në të njëjtën mënyrë, në të njëjtin nivel”.

Filmi Budrus u përcoll me shumë entuziazëm si nga palestinezët në Bregun Perëndimor, ashtu edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Jeruzalem, ku fitoi çmim. Palestinezo-amerikania Irene Naser, e cila është menaxhere e zyrës së organizatë në Jeruzalem, thotë se dokumentari solli një realitet të panjohur për izraelitët që nuk janë në dieni të nismave paqësore në komunitetin palestinez.

Ajo mendon se me përhapjen më të gjerë të filmave të organizatës Just Vision, ky mesazh do të ketë ndikim edhe më të madh:

“Me reklamimin e nismave që veprojnë në terren, mendoj se do të rritet më tej përkrahja për bisedimet e paqes”.

Zonja Naser thotë se paqja në Tokën e Shenjtë do të bëhet realitet vetëm kur njerëzit që jetojnë atje, të besojnë në të.

XS
SM
MD
LG