Lidhje

Italia merr masa të gjera për shkurtimin e shpenzimeve

  • Zëri Amerikës

Italianët po bëhen gati për shkurtime të mëdha të pagave, shërbimeve qeveritare dhe kujdesit shëndetësor, ndërsa qeveria përpiqet të shmangë një krizë të ngjashme me atë me të cilën përballet Greqia.

Ministrat e kabinetit qeveritar u takuan sot që të diskutonin për shkurtime që kapin shifrën 30 miliardë dollarë gjatë dy viteve të ardhshme dhe një këshilltar kryesor i kryeministrit Silvio Berluskoni ka paralajmëruar se plani parashikon “sakrifica të mëdha”.

Media italiane thotë se plani do të ngrinte ose shkurtonte rrogat e të gjithë punonjësve qeveritarë. Fondet qeveritare për kujdesin shëndetësor dhe organet e qeverisjes lokale parashikohen gjithashtu të shkurtohen.

Italia ka një nga borxhet më të larta në botë. Zyrtarët thonë se shkurtimet kanë si qëllim që ta sjellin borxhin në nivelet e pranueshme të Bashkimit Evropian deri në vitin 2012.

Greqia, Britania, Danimarka, Spanja dhe Portugalia kanë deklaruar masa të forta në përpjekje për të lehtësuar shqetësimet sipas së cilave ato nuk do të jenë në gjendje të paguajnë borxhet.

XS
SM
MD
LG