Lidhje

Italia ka disa prej ligjeve më të ashpra të imigracionit në kontinent

  • Henry Ridgwell

Italia ka disa prej ligjeve më të ashpra të imigracionit në kontinent

Italia ka disa prej ligjeve më të ashpra të imigracionit në kontinent

Festival i verës në Firence është një traditë që vazhdon prej shekujsh.Por përtej asaj që duket në sipërfaqe, në qytet po ndodhin mjaft ndryshime.

Në mesin e mijëra turistëve, është e lehtë të dallosh të huajt më të varfër të qytetit, imigrantët nga Afrika, Evropa Lindore dhe Azia që kanë ardhur këtu për një jetë më të mirë. Por ligjet e imigracionit në Itali, më të ashprat në Evropë, po e bëjnë jetën e vështirë për ata që janë më pak mirëpritur.

Shumë prej tyre mblidhen çdo ditë në këtë kuzhinë supe të organziuar nga shoqata bamirëse katolike Caritas. Jashtë kuzhinës, ne folëm me një djalë të quajtur Marko, i cili erdhi këtu nga Rumania.

“Gjithçka është tani më e vështirë, është e tmerrshme. U bë më keq edhe me krizën ekonomike. Disa nga policët më të vjetër në moshë na trajtojnë shumë keq”.

Ligjet e miratuara vitin e kaluar parashikojnë që imigrantët e paligjshëm të dënohen me deri 14 mijë dollarë gjobë dhe të burgosen deri në 6 muaj. Ata që u ofrojnë strehim mund të burgosen deri në 3 vjet. Edhe Vatikani i ka kritikuar këto masa. Meskita Matias erdhi këtu nga Angola 10 vjet më parë.

“Që kur kryeministri Berluskoni erdhi në pushtet, Italia ka ndryshuar. Është bërë vend që ka frikë nga armiqtë. Armiku është zezaku në rrugë. Armiku është njeriu që flet ndryshe, i cili ka ngjyrë tjetër lëkure. Armiku është njeriu i varfër, shkurt e qartë”.

Qyteti i Firences dallohet nga kupolat e kishave që paraqesin kulturën e kohës së rilindjes italiane. Popullata e këtushme myslimane po bën fushatë për ndërtimin e një xhamie në të njëjtin stil me artitekturën klasike të qytetit. Megjithë mbështetjen e disa grupeve katolike, propozimi është ndeshur me kundërshtime të ashpra, sidomos prej partisë së djathtë Liga Veriore. Përfaqësuesit e saj thonë se projekti është “forcë destabilizuese”.

Partia Liga Veriore tani ka pushtet të konsiderueshëm në koalicionin qeverisës të zotit Berluskoni. Kryetari rajonal i partisë është Antonio Gambeta Viana.

“Problemi është se kur italianët shkonin në Amerikë në vitet ‘20 dhe ‘30, ata u nënshtroheshin kontrolleve shëndetësor dhe të prejardhjes para se të lejoheshin të hynin. Nuk ka një gjë të tillë në Itali. Njerëzit vijnë, rrinë këtu si imigrantë të paligjshëm dhe nuk i nënshtrohen kurrfarë procedure”.

Në kuzhinën e supës pritet që salla të mbushet me imigrantë për drekë.

Drejtori i shoqatës bamirëse, Alesandro Martini, thotë se Italia nuk duhet të përballet me këtë problem e vetme.

“Kemi ekonomi të globalizuara, komunikim të globalizuar, kemi internetin të globalizuar. Tani është koha që të globalizojmë integrimin dhe imigracionin. Është koha që të globalizojmë, në mënyrë njerëzore, mënyrën se si i trajtojmë dhe i presim të huajt”.

Një politikë e përbashkët e imigracionit nuk është arritur akoma. Qeveritë evropiane pajtohen se çështja e imigracionit duhet të zgjidhet, por duket se pak prej tyre janë gati të kujdesen për imigrantët që tashmë kanë arritur.

XS
SM
MD
LG