Lidhje

Izraelitët dhe palestinezët, skeptikë për suksesin e bisedimeve të paqes

  • Luiz Ramirez

Izraelitët dhe palestinezët, skeptikë për suksesin e bisedimeve të paqes

Izraelitët dhe palestinezët, skeptikë për suksesin e bisedimeve të paqes

Presidenti Barak Obama ka nisur një seri takimesh paraprake, në prag të një raundi të ri bisedimesh të drejtpërdrejta për paqen mes Izraelit dhe palestinezëve. Zoti Obama dhe kyeministri izraelit Benjamin Netanjahu u takuan në Shtëpinë e Bardhë ditën e sotme për takime dypalëshe. Gjatë një prezantimi të përbashkët, z.Obama dënoi një sulm, si pasojë e të cilit u vranë 4 banorë izraelitë në Bregun Perëndimor të martën. Zoti Obama tha se ajo që ai e quajti “masakër e pakuptimtë” që u krye pranë Hebronit, nuk do të ndalte negociatorët për të siguruar një paqe të gjatë e të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Kryeministri i izraelit gjithashtu e dënoi sulmin dhe tha se bisedimet e tij “të hapura, produktive dhe serioze” me zotin Obama u përqëndruan rreth nevojës për të patur marrëveshje sigurie që do të ndihmojnë Izraelin të parandalojë sulme të tilla. Takimet zhvillohen një ditë përpara nisjes së bisedimeve të drejtpërdrejta mes izraelitëve dhe palestinezëve. Si izraelitët ashtu edhe palestinezët janë shprehur skeptikë për shanset që bisedimet e drejtëpërdrejta të organazuara nga SHBA të sjellin rezultate apo përparim drejt përfundimit të konfliktit 60 vjeçar në Lindjen e Mesme.

Mustafa Murar është pronar i këtij dyqani boje në qytetin e Bregut Përëndimor, El Bireh, afër Jeruzalemit. Dyqani ndodhet në rrugën ku gjatë kryengritjes palestineze 10 vjet më parë u zhvilluan luftime të ashpra. Biznesi i tij u shkatërrua nga luftimet.

“Çdo ditë biznesi im kishte humbje. Vetëm gjatë kohëve të fundit bizneset e këtij rajoni filluan të hapen përsëri. Bëhet fjalë për një kryengritje që zgjati 10 vjet. Bëhet fjalë për humbje të mëdha për bizneset për 7 vjet me radhë.”

Në tre vitet e fundit të një qetësie relative, Bregu Përëndimor i pushtuar nga Izraeli ka përjetuar një bum ekonomik. Zoti Murar ka patur mundësi të furnizojë dyqanin e tij dhe të fillojë punën përsëri.

Ai thotë se negociatat e vitit 2000, për të cilat nuk ishte e përgatitur asnjëra palë u bënë shkas për kryngritjen. Ai thotë se edhe tani asnjëra palë nuk është e gatshme për marrëveshje.

“Do të ishte mirë nëse negociatat e bazuara në përpjekje reale do të sillnin një marrëveshje dhe paqe. Por, duke pasur parasysh përvojën tonë me izraelitët në të kaluarën, këto negociata do të jenë të pafrytshme.”

Shumë izraelitë gjithashtu nuk besojnë se është koha e duhur për negociata. Pas dekadash konflikti, disa thonë se nuk ka pika të përbashkëta që janë të mjaftueshme për dialog të mirëfilltë.

“Unë mendoj se bisedimet nuk do të jenë të sukseshme. Mosmarrveshjet nuk mund të zgjidhen me një raund bisedimesh. Duhet më shumë kohë. Ne duhet të mësohemi të bashkëjetojmë.”

Izraeli thotë se dëshiron garanci për sigurinë, një shtet palestinez të demilitarizuar, dhe një Jeruzalem të pandarë nën kontrollin e tij. Shumë izraelitë e kundërshtojnë kërkesën kryesore të palestinezëve për tërheqjen e qindra mijëra kolonëve hebrenj nga Bregu Përëndimor.

Analisti Mahdi Abdel Hadi thotë se trysnia amerikane e jo vullneti i mirë, do të sjellin palët në tavolinën e bisedimeve.

“Që nga konferenca e Madridit e deri sot, pra për 19 vjet, bisedimet me izralitët nuk kanë sjellë rezultate. Përkundrazi, ne kemi humbur më shumë territore, jemi më të përçar, udhëheqja jonë është në krizë, nuk ka vizion të qartë, dhe de-fakto ne jemi duke jetuar në aparteid nën sistemin pushtues izraelit. Tani, kemi marrë ftesën nga Uashingtoni? Ata nuk na kanë ftuar. Ata na kanë mbledhur.”

Udhëheqësit palestinezë kanë paralajmëruar popullatën të mos angazhohet në dhunë. Megjithatë, Yaacov Bar Simantov, i cili drejton Institutin e Jeruzalemit për Studime Izralite, thotë se ekziston mundësia për rifillim të dhunës.

“Natyrisht se do të ketë njerëz të cilët thonë se po s’pati sukses përmes përpjekjeve politike dhe diplomatike, do t’i kthehen dhunës. Sepse dështimi i bisedimeve sjell dhunë.”

Mustafa Murar thotë se ai nuk dëshiron luftë.

“Nëse do të ketë luftë unë humb biznesin. Situata ekonomike është e lidhur me politikën. Nëse situata politike është e mirë, situata ekonomike do të jetë e mirë, dhe anasjelltas.”

Por zoti Murar thotë se, si gjithë palestinezët e tjerë në Bregun Përëndimor, ai është i frikësuar se nëse bisedimet dështojnë, zemërimi nga pushtimi mund të rrisë tensionet dhe të shkatërrojë gjithë punën që ai ka bërë për rindërtimin e dyqanit të tij.

XS
SM
MD
LG