Lidhje

Studim i ri i florës dhe faunës në oqeane

  • Zëri Amerikës

Studim i ri i florës dhe faunës në oqeane

Studim i ri i florës dhe faunës në oqeane

Një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë po kërkojnë marrjen e masave për të mbrojtur territorin më të gjerë dhe të paeksploruar të globit: thellësitë e deteve. Thellësitë nënujore dhe banorët e tyre janë duke u përballur ndërkohë me kërcënime nga aktivitetet njerëzore, si shpimet nën ujë dhe ngrohja globale. Ekspertët thonë madje, se ekzistojnë edhe kërcënime të tjera dhe paralajmërojnë se pasojat e shkatërrimit të mjedisit nënujor mund të jenë shumë të mëdha dhe të pakthyeshme.

Censusi i Botës Nënujore përfshiu një studim të florës dhe faunës në oqeane, përfshirë pesë ekosisteme në thellësinë e detrave. Cindy Van Dover, profesoreshë e biologjisë oqeanografike në Universitetin Duke tregon mbi qëllimin e studimit.

“Ai synonte eksplorimin e krijesave që jetojnë në det, çfarë bëjnë ato, si kanë qenë në të kaluarën dhe si mund të jenë në të ardhmen. Ishte një përpjekje për të mbledhur komunitetin ndërkombëtar dhe për të shtruar pyetje, nëse mund të zhvillohen bashkëpunime mes njerëzve të vendeve të ndryshme dhe për fillimin e krijimit të një ideje se çfarë krijesash do të jetojnë në det dhe çfarë do të jetojnë në të ardhmen.

Gjatë studimit 10 vjeçar, që përfundoi vitin e kaluar, Van Dover dhe shkencëtarë të tjerë zbuluan kërcënimet me të cilat përballet bota nën ujë, kryesisht pranë dyshemesë së oqeaneve. Ata theksojnë në publikimin e ri disa prej shqetësimeve rreth ndikimit njerëzor në thellësitë e deteve. Zonja Van Dover është kryesisht e shqetësuar rreth eksplorimit të burimeve minerare në thellësi të detit.

“Ka kompani minerare që duan të nxjerrin mineralet ku jetojnë krijesat nënujore. Nëse hiqet shtresa e mineraleve, do të eleminoheshin edhe krijesat. Sa koloni speciesh të ndryshme mund të shkatërrohen në këtë rast? Krijesat do të formojnë koloni të reja, por do të vijë një moment kur nuk do të ketë krijesa të mjaftueshme për të populluar mjedisin nënujor.”

Shkencëtarja Van Dover thotë se përhapja e shpimeve në dyshemetë e oqeaneve që përmbajnë elementë të rralla tokësore është e pashmangshme. Por ajo paralajmëron se nëse këto shpime nuk bëhen me kujdes, dhe nuk ka programe restaurimi, biodiversiteti nënujor do të humbasë.

Lisa Levin është profesore e biologjisë oqeanografike në Insitutin Sripps të Oqeanografisë në Californi. Temperaturat në rritje përbëjnë shqetësim për të dhe po ashtu sjellin ndryshime në oqeane. Mes skenareve të mundshme të ndryshimeve, thotë ajo, janë krijimi i shtresave, acidifikimi dhe ndryshimet në shpërndarjen e lëndës ushqyese, profilet e temperaturave dhe nivelet e oksigjenit. Por si do të ndikojnë këto ndryshime tek krijesat e thellësive detare ?

“Jam i bindur se ne do të shohim ndoshta ndryshime në shpërndarjen e gjallesave dhe kur një specie shfaqet dhe zhduket, në këtë mënyrë edhe krijesat armike me të dhe burimi i ushqimit do të ndikohen nga ndryshimet.”

Ekspertët thonë se speciet që janë të shpërndara më rrallë dhe nuk kanë norma të larta riprodhimi janë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimeve të vogla. Fatkeqësisht, kjo ndodh me shumë specie në oqeanet e thella. Por shkencëtarët thonë se oqeanet nuk janë vetëm vendbanimi më i shumëllojshëm i Planetit tonë, por edhe pika e fillimit të jetës në tokë përmes evolucionit.

XS
SM
MD
LG