Lidhje

Presidenti Obama në Nju Orlins me rastin e 5-vjetorit të Uraganit Katrina

  • Majkëll Bowman

Presidenti Obama në Nju Orlins me rastin e 5-vjetorit të Uraganit Katrina

Presidenti Obama në Nju Orlins me rastin e 5-vjetorit të Uraganit Katrina

Shteti jugor i Luizianës shënoi sot pesëvjetorin e Uraganit Katrina, që shkatërroi qytetin e Nju Orlinsit, la mbi 1.800 të vrarë dhe shaktoi rreth 125 miliard dollarë dëme materiale. Presidenti Barak Obama vizitoi Nju Orlinsin në shenjë përkrahje për rindërtimin, ecuri që po vazhdon edhe sot.

Uragani Katrina i solli Luizianës erëra të pamëshirshme dhe vërshime katastrofale, si dhe vuri në dukje sesa e gatshme ishte qeveria amerikane të përballej me një fatkeqësi të madhe. Për javë të tëra që pasuan stuhinë, bota pa pamje rrëqethëse të njerëzve të mbetur pa bukë e pa strehë dhe reagimin e qeverisë federale që u cilësua si i ngadaltë, me ngatërresa dhe i pamjaftueshëm. Presidenti i përkujtoi shumë nga këto ngjarje këtë fundjave në një fjalim në Universitetin Zavier të Luizianës në Nju Orlins.

“Ishte katastrofë natyrore, por gjithashtu katastrofë e shkaktuar nga njeriu – dështim i turpshëm i qeverisë që la vetëm e të braktisur burra, gra e fëmijë të panumërt”.

Presidenti nderoi të gjithë ata që kanë derdhur djersë për të rindërtuar qytetin, si dhe premtoi mbështetje të qendrueshme federale deri sa të kryhen punët.

“Falë jush, Nju Orlinsi po rikthehet. Pesë vjet më parë, shumë druanin nëse njerëzit do të ktheheshin ndonjëherë në këtë qytet. Sot, Nju Orlinsi është një nga qytetet me rritjen më të shpejtë në Amerikë dhe bizneset e vogla po shtohen me të madhe”.

Shirat e rrëmbyeshëm të Katrinës dhe një valë e madhe stuhish ishin shumë të forta për argjinaturat dhjetëravjeçare në Nju Orlins. Zoti Obama tha se ajo dobësi kritike po shqyrtohej.

“Projekti më i madh i ndërtimeve civile në histori të Amerikës është duke u ekzekutuar për të ndërtuar sistem të fortifikuar të argjinaturave. Dhe ashtu siç u zotova para zgjedhjeve, do ta përfundojmë këtë sistem nga viti i ardhshëm në mënyrë që ky qytet të mbrohet nga stuhitë për 100 vjet. Nuk guxojmë të luajmë ruletë ruse sa herë vjen stina e uraganeve”.

Presidenti rikujtoi se bregdeti amerikan përgjatë Gjirit të Meksikës përjetoi së fundmi një tragjedi tjetër – rrjedhjen e naftës së kompanisë BP. Tani që është ndaluar rrjedhja, zoti Obama u zotua se qeveria do të bëjë përpjekje të pandërprera për ta restauruar mjedisin e gjallesave detare të rajonit.

XS
SM
MD
LG