Lidhje

SHBA: Rishfaqen ethet e arit

  • Xhef Suajkord

SHBA: Rishfaqen ethet e arit

SHBA: Rishfaqen ethet e arit

Me rritjen e çmimeve të arit në botë, në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara ka lindur përsëri interesimi për kërkimin e floririt. Nga fundi i shekullit të 19, shteti i Virxhinias ka pasur një industri të lulëzuar për kërkimin dhe nxjerrjen e arit. Sot, në lumenjtë e Virginias qendrore ende mund të gjesh ar. Dhe kjo po josh shumë njerëz të blejnë pajisjet për kërkimin e arit. Por, të gjesh ar nuk është aspak e lehtë.

Tod Bonshire është menaxher në Monroe Park, një kamp i shekullit të 18 për kërkimin e arit por tashmë i restauruar në Goldvein. Me profesion historian, Tod u tregon vizitorëve për historinë e pasur të kërkimit të arit në këtë zonë dhe se si nxirret ai.


"Është e habitshme sa shumë njerëz kanë filluar të vijnë këtu për të blerë pajisjet dhe për të kërkuar ar. Sidomos tani që çmimi i arit ka shkuar në 1,800 dollarë për onz, interesi është shtuar shumë."

Në vitin 1782, Tomas Xheferson shkruante se një burrë gjeti një copë kuarc me ar pranë Frederiksburgut, dhe ethet e arit u përhapën në të gjithë Virxhinian. Në fillim të shekullit të 19-të, këtu përreth kishte 19 miniera ari. Por gjatë Luftës së Dytë Botërore, ato u mbyllën sepse u panë pa leverdi.

Ari gjendet brenda shkëmbit të kuarcit, i cili shtrihet si një brez përgjatë pjesës lindore të vendit. Duhet të gërmosh disa ton kuarc për të gjetur disa onz flori brenda tij.

"Këtu është një e çarë dhe mund të shihni se aty brenda ka pirit; dikush e ka hapur gurin. Në të çara si kjo mund të gjesh ar, pra brenda një cope të madhe kuarci.”

Sot, njerëzit e kërkojnë ndryshe arin. Shiu dhe dëbora e kanë thyer kuarcin dhe kokrrizat e arit përzihen në rrymat e lumenjve.

"Duke e situr, materiali i lehtë mbetet sipër ndërsa materialet e rënda ku duhet të ndodhet ari dhe një substancë e quajtur rërë e zezë, me bazë hekurin, mbeten në fund."

Ari është 19 herë më i rëndë se uji. Materialet me dëndësi më të vogël dalin nga sita, duke lënë pas më të rëndat.

Por kërkimi nuk është i lehtë. Bill Oliver e bën këtë si një hobi tani që ka dalë në pension. Oliver është anëtar i Klubit për Kërkimin e Arit. Ai thotë se klubit iu shtuan 10 anëtarë të rinj në takimin e fundit, të gjithë në përpjekje për të përfituar nga rritja e çmimeve të arit. Por Oliver thotë se gjetjet e mëdha janë të rralla.

"Kurrë nuk dihet se kur mund të gjesh një copë të madhe. Askush nuk ka gjetur të tillë këtu në 10 vjetët e fundit, por, sigurisht të tilla ka, vetëm se nuk i kemi gjetur."

Ai thjesht e sheh kërkimin si mundësi për t’ju gëzuar natyrës.

"Unë ndoshta nuk kam gjetur as 20 dollarë ar vitin e kaluar. Nuk është një hobi që të sjell para. Në Virxhinia duhet të shpenzosh për të blerë pajisjet dhe ato para nuk i nxjerr kurrë. Ata që fitojnë, janë ata që shesin pajisjet", thotë Bill Oliver.

Shumica thjesht vijnë për emocionin që të jep kërkimi.

"Kam gjetur një copë."
"Është amazonit."


Të gjithë jetojnë me ëndrrën se një ditë mund të gjejnë copën e madhe të arit.

XS
SM
MD
LG