Lidhje

Hoxhaj: Kosova në një etapë të re të përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur


Hoxhaj: Kosova në një etapë të re të përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur
Hoxhaj: Kosova në një etapë të re të përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi sot një seancë informimi mbi gjendjen në Kosovë. Të ftuar për të prezantuar një analizë të gjendjes ishin edhe ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Serbisë. Ministri Enver Hoxhaj bëri thirrje për mbështetje nga vendet anëtare të OKB-së në mënyrë që Kosova të përfshihen në institucione rajonale e ndërkombëtare. Ndërsa Ministri i Serbisë Vuk Jeremiç u shpreh se për Serbinë, zgjidhja e situatës aktuale mund të gjendet vetëm përmes dialogut dhe se veprimet e njëanshme nuk sjellin zgjidhje afatgjata e të qëndrueshme:

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj u ndal në fjalën e tij në arritjet e shënuara në shtetin e ri gjatë 4 vjetëve të pavarësisë. Zoti Hoxhaj foli për reforma të gjera që po zbatohen në vendin e tij, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Zoti Hoxhaj theksoi se njohjet për shtetin e ri mbeten parësore në politikën e vendit.

“Për Kosovën, konsolidimi në shkallë ndërkombëtare i statusit të shtetit është jetik për sa i përket përfshirjes në sistemin ndërkombëtar. Po ndërmarrim masa madhore për t’u antarësuar në institucione rajonale dhe ndërkombëtare. Pjesëmarrja e Kosovës në këto institucione është me rëndësi jetike dhe një objektiv shumë i rëndësishëm për qeverinë e vendit tim”.

Zoti Hoxhaj nënvizoi se me arritjet e deritanishme, Kosova është shndërruar në një shtet shumetnik, me një shoqëri të larmishme dhe ekonomi në zhvillim. Shefi i diplomacisë së Kosovës tha se me fillim e 2012, Kosova shënohet një etapë e re për vendin e tij, ajo e përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur.

Por zoti Hoxhaj shtoi se shumë nga zhvillimet e ardhshme do të varen nga vendimi që do të marrë Këshilli Evropian kundrejt Serbisë:

“Nëse Serbia shpërblehet me statusin e vendit kandidat, pa eliminuar struktrat policore dhe të sigurisë në veri të Kosovës, pa hequr barrikadat dhe pa zbatuar plotësisht marrëveshjet e dialogut, do të ketë pasoja afat-gjatë e afat-shkurtra".

Instuticionet në Kosovë janë të angazhuara për ta bërë vitin 2012 një vit historik për Kosovën drejt Evropës. Në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë, kufijtë e Ballkanit janë vendosur një herë e mirë dhe çdo ide për shkëmbim territoresh apo ndarje në linja etnike është tepër e rrezikshme, përfundoi zoti Hoxhaj.

Në fjalën e tij, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç e prezantoi gjendjen si të tensionuar dhe e mbarsur me potencial dhune. Kjo gjendje, u shpreh zoti Jeremiç, është rezultat i përpjekjeve për të imponuar zgjidhje një palëshe të situatës në Kosovë, gjë që bie ndesh me popullatën serbe në veri. Ai theksoi rëndësinë e shmangies së provokimeve dhe përpjekjeve për zgjidhje të njëanshme.

Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç foli për përparim në çështje teknike në bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës. Dialogu, tha ai, mbetet e vetmja formë e vlefshme për gjetjen e një zgjidhjeje të volitshme për të dyja palët. Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të afirmojë Rezolutën 1244 si qendrore në bisedimet dypalëshe. Përpjekjet për të gjetur zgjidhje jashtë kornizës së bisedimeve nuk do të jenë as jetëgjatë as funksionale.

Zoti Jeremiç foli përsëri për çështjen Medicus, duke theksuar se dy të dyshuarit kryesorë janë ende larg Kosovës dhe drejtësisë. Nëse këto akuza provohen si të vërteta, ato do të përbëjnë një kategori të re krimesh lufte. Ministri i Jashtëm i Serbisë u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të angazhohen në hetime për këtë çështje, duke shtuar se EULEX-i nuk ka mandatin për të shtrirë hetimet jashtë Kosovës.

XS
SM
MD
LG