Lidhje

Gjendja në veriun e Kosovës në diskutim në Këshillin e Sigurimit

  • Zëri Amerikës

Gjendja në veriun e Kosovës në diskutim në Këshillin e Sigurimit

Gjendja në veriun e Kosovës në diskutim në Këshillin e Sigurimit

Çështja e veriut të Kosovës dhe rrugët e zgjidhjes së kësaj çështjeje ishin temë e debatit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili i ka shprehur mbështetje vazhdimit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç, i hapi komentet e tij duke theksuar qëndrimin e qeverisë së tij kundër shkëputjes së Kosovës si shtet më vete. Ai tha se Serbia nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, haptazi ose në mënyrë të padeklaruar. Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të mbajë qëndrim kundër hapave të njëanshme që ndërmerren me synimin për t’u dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve etnike apo territoriale, në mënyrë që shembulli i Kosovës, siç u shpreh ai, të mos bëhet një pararendës i rrezikshëm në botë.

Duke u përqendruar në zhvillimet e muajve të fundit, shefi i diplomacisë serbe u shpreh se udhëheqja e shqiptarëve të Kosovës, “ndërmori vendimin e kalkuluar për të urdhëruar një ndërhyrje të armatosur dhe të paprovokuar në veriun e Kosovës, në kuadër të një plani keqëdashës për të vendosur në këtë rajon një regjim të paligjshëm dhe të padëshiruar nga popullata e zonës”. Ministri Jeremiç i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit t’u dërgojë një mesazh të qartë autorëve të këtyre veprimeve. Në mbyllje të fjalës së tij, zoti Jeremiç kërkoi mbështetjen e Këshillit të Sigurimit për rivendosjen e status-kuosë para ngjarjeve të korrikut, sjelljen para drejtësisë të atyre që ai i cilësoi si shkaktarë të destabilitetit.

Më pas foli Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili nënvizoi se Kosova mbetet e angazhuar për procesin e përmirësimit të marrëdhënieve rajonale. Ai fajësoi Serbinë për trumpetimin e ideve për ndarje të Kosovës në vija etnike, të cilën e cilësoi si një politikë të rrezikshme për stabilitetin e Ballkanit në përgjithësi. Zoti Hoxhaj nënvizoi se Serbia ka vazhduar një politikë diskriminuese ndaj produkteve dhe simboleve të Kosovës.

Pas 3 vjet vështirësish ekonomike si rezultat i bllokadës serbe, tha zoti Hoxhaj, qeveria e Kosovës u detyrua të dërgojë trupat e saj në veri, jo për të kërcënuar apo provokuar popullatën, por për të vendosur masat e reciprocitetit. Këto veprime, janë plotësisht të përligjura në bazë të autoritetit të policisë së Kosovës, e cila mund të veprojë në veri të Kosovës. Këto janë sfidat me të cilat ndeshet Kosova aktualisht.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, akuzoi Serbinë se vazhdon të financojë dhe mbështesë trupa paraushtarake në Kosovë. Një praktikë e tillë, tha ai, duhet të ndalë, pasi dhunon Marrëveshjen e Ahtisarit dhe rezolutën 1244. Disa nga problemet me të cilat ndeshemi sot, u shpreh zoti Hoxhaj, lidhen me faktin se Serbia mbështet struktura paralele, duke krijuar një mungesë stabiliteti ligjor për banorët, një vrimë të zezë rendi dhe një parajsë për trafikantët.

Zoti Hoxhaj i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të mos tolerojë elementë që dhunojnë sundimin e ligjit, apo rezolutën 1244. Nuk do të ketë kthim në gjendjen para 25 korrikut, theksoi zoti Hoxhaj. Pas 12 vjetësh, Serbia duhet të shpërbëjë strukturat paralele. Shpresoj se Këshilli i Sigurimit do ta vlerësojë përparimin në Ballkan dhe do të mbështesë të dyja palët në përpjekjet për dialog, duke respektuar sundimin e ligjit në të gjithë territorin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG