Lidhje

KFOR-i arrin marrëveshje me palët për situatën në veri të Kosovës


KFOR-i arrin marrëveshje me palët për situatën në veri të Kosovës

KFOR-i arrin marrëveshje me palët për situatën në veri të Kosovës

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja arritën një marrëveshje me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe ata të Serbisë, për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës. KFOR-i ende nuk i ka bërë të ditura hollësitë e kësaj marrëveshjeje e cila parasheh që vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës do të mbeten nën kontrollin e KFOR-it deri nga mesi i muajit shtator, kur pritet rifillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se marrëveshja parasheh që të ruhet gjendja e re e krijuar në vendkalimet në veri dhe se më këtë ujdi vendimet e mëhershme të qeverisë për masat e ndërsjella tregtare me Serbinë dhe vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare mbeten në fuqi dhe do të zbatohen plotësisht.

Sipas kryeministrit Thaçi, pika e parë e marrëveshjes së mirëkuptimit parasheh zhbllokimin e të gjitha rrugëve për në vendkalimet kufitare. Pika tjetër flet për mbajtjen e gjendjes aktuale në këto vendkalime, por, sipas kryeministrit, ndërkohë do të krijohen kushtet që, përveç ushtarëve të KFOR-it, në të dy pikat të dërgohen edhe policët dhe doganierët e Kosovës. KFOR-i do të jetë përgjegjës për sigurinë në pikat kufitare që do të mbesin të mbyllura dhe tashmë të shpallura si zona të kufizuara ushtarake.

Qeveria e Kosovës është pajtuar që të lejojë futjen e ndihmave humanitare në Kosovë, por pasi të konstatohet nga një organizatë e pavarur ndërkombëtare që vërtet ekziston nevoja për ndihma humanitare. Sipas dokumentit të publikuar nga kryeministri Hashim Thaçi, do të ketë masa të rrepta të kontrollit të kufirit, ku çdo person dhe automjet do të kontrollohet për armë.

Treni i linjës Mitrovicë-Beograd dhe anasjelltas do të kontrollohet nga Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it si dhe KFOR-i. Po ashtu do të lejohet hyrja e të gjitha mallrave të dedikuara për Kishën Ortodokse Serbe.

Kryeministri Thaçi e cilësoi marrëveshjen dhe hapat e qeverisë së tij si një nga arritjet më të mëdha të institucioneve të Kosovës. “Ky është suksesi më i madh që kemi arritur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në kuadër të angazhimeve tona të respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe konsolidimit e forcimit të shtetit tonë, por edhe përshpejtimit dhe qartësimit të perspektivës evropiane të Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.

Marrëveshja u mbështet edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Në një deklaratë për opinion, zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, tha se “marrëveshja është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë dhe një veprim i arsyeshëm që e zhbllokon gjendjen e krijuar në komunat veriore të Kosovës dhe në vendkalimet kufitare të saj në veri”.

Beogradi – mbështet marrëveshjen

Ndërkaq, përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë, Borisllav Stefanoviç dhe Goran Bogdanoviç, u kanë bërë thirrje sonte përfaqësuesve lokal serbë dhe protestuesve që po mbajnë të bllokuara rrugët në veri, që të mbështesin marrëveshjen për tejkalimin e gjendjes në atë pjesë.

Shefi i delegacionit të Serbisë për bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, u tha atyre se “marrëveshja është mbështetur nga qeveria e Serbisë dhe presidenti i Serbisë Boris Tadiç dhe në rrugë paqësore mund të mbrohen interesat e ligjshme”.

Duke u bërë thirrje qytetarëve serbë që të mbështesin marrëveshjen, ai tha se “ajo nuk është ideale. Kemi biseduar në rrethana të këqija. Reagimi ynë e ka penguar kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi që të zbatojë atë që kishte për synim”.

Sipas tij, ne vendkalimet kufitare nuk do të ketë doganierë të Kosovës, as njësi të posaçme të policisë dhe as simbole të shtetit të Kosovës. “Në vendkalimin në Bërnjak, do të ketë pjesëtarë të policisë së Kosovës nga Zubin Potoku, 28 serbë dhe tre shqiptarë”, tha Borisllav Stefanoviç, duke i siguruara banorët serbë se marrëveshja ka garanci ndërkombëtare.

"Sigurisht që marrëveshja ka mangësi por ajo siguron paqe”, tha ai duke u bërë thirrje serbëve që po mbajnë rrugët të bllokuara që të mbështesin atë dhe t’i largojnë bllokadat.

Përfaqësuesit lokal të serbëve në veri thanë se gjatë ditës së nesërme do të vendosen nëse do të largojnë bllokadat e rrugëve apo jo.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan më 25 korrik një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut një komunë me shumicë serbe ne veri. Përfaqësuesit e Beogradit kërkojnë kthimin në gjendjen e mëparshme një kërkesë kjo që është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta, ndërsa bënë thirrje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, të cilat qenë shtyrë për në muajin shtator.

XS
SM
MD
LG