Lidhje

Fuqizimi ushtarak i Kinës, shqetësim për vendet fqinje

  • Heda Bajron

Fuqizimi ushtarak i Kinës, shqetësim për vendet fqinje

Fuqizimi ushtarak i Kinës, shqetësim për vendet fqinje

Fuqizimi ushtarak i Kinës i ka bërë disa nga vendet fqinje të shqetësohen për sigurinë e Azisë Lindore në të ardhmen. Kohët e fundit, Japonia bëri ndryshime të rëndësishme në fushën e mbrojtjes, si reagim ndaj fuqizimit të Kinës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts në fillim të janarit theksoi rëndësinë e aleancës mes SHBA dhe Japonisë për sigurinë e Azisë. Zoti Gejts lavdëroi vendimin e Japonisë në dhjetor për t’i orjentuar burimet ushtarake nga veriu, afër Rusisë, tek ishujt jugperëndimorë dhe më pranë Kinës.

Dhe ai theksoi se pa aleancën 6 dekadëshe për sigurinë mes SHBA dhe Japonisë, Kina “mund të përbënte më tepër kërcënim ndaj vendeve fqinje”.

Muajin e kaluar, Kina zhvilloi një provë me avionin e parë të padallueshëm nga radarët. Disa analistë perëndimorë të mbrojtjes thonë se Kina po ashtu po përgatitet të dislokojë një raketë të re, e cila mund të godasë një avion amerikan përtej territorit kinez.

Tsuneo Akaha është drejtor i Qendrës së Studimeve për Azinë Lindore në Institutin Montere të Studimeve Ndërkombëtare në Kaliforni. Ai thotë se orjentimi i ri në mbrojtjen e Japonisë lidhet pikërisht me këto shqetësime.

“Arsyeja më e rëndësishme është zgjerimi i ushtrisë kineze, veçanërisht fuqizimi i aftësive detare dhe po ashtu, ndërtimi i një avioni të ri, të padallueshëm nga radarët. Gjithashtu, planet kineze për të prodhuar më tepër nëndetëse të cilat do ta lejonin Kinën të shtrinte rrezen e fuqisë së vet në distanca më të largëta”.

Tensionet mes Tokios dhe Pekinit u shtuan në shtator, kur një anije kineze u përplas me një skaf japonez patrullimi pranë ishujve të debatueshëm që njihen si Senkaku, apo Diayu.

Megjithëse SHBA nuk janë të prekura drejtpërdrejt nga çdo mosmarrëveshje territoriale e Kinës në Paqësor, ato janë shumë të përfshira për krijimin e një klime të sigurtë në Azi.

Amerika thonë se kanë interesa kombëtare tek liria e lundrimit në këto ujëra. Studjuesi Akaha thotë se SHBA kanë grumbulluar së bashku vende të rëndësishme aleate, si dhe vende më të vogla të Azisë Juglindore, për të krijuar një grupim, si balancë ndaj fuqizimit ushtarak të Kinës.

Ma Zhenggang, Drejtor i Agjencisë kineze për Kontrollin e Armëve dhe Çarmatimin, thotë se Kina nuk do që të ketë konflikt me Amerikën. Ai thotë se SHBA po vazhdojnë ta shohin Kinën si vend rival, madje edhe i bëjnë sfidë interesave kineze për harmoninë, prandaj dhe ka mundësi që mund të ketë një krizë të rëndë mes të dy vendeve. Këtë gjë Kina sipas tij nuk e dëshiron. Ai thotë se nga bashkëpunimi për sigurinë mes Kinës dhe SHBA përfitojnë të dy vendet.

Sekretari i Mbrojtjes Gejts, po ashtu tha se Kina nuk është një kundërshtar i paevitueshëm strategjik për Uashingtonin.

Ka disa vende aziatike, të cilat po bëjnë përpjekje për t’u fuqizuar, për të qenë të përgatitura përballë kërcënimeve të mundshme dhe po i ndjekin nga afër marrëdhëniet mes SHBA dhe Kinës.

Kina pretendon se Deti i Jugut i takon asaj, përfshirë ishujt Spratly dhe Paracel. Por nga ana e tyre, Brunei, Malajzia, Filipinet, Taivani dhe Vietnami kanë pretendime ndaj këtyre ishujve.

Ndërsa vendet e Azisë Juglindore kërkojnë një zgjidhje paqësore për përplasjet në Detin e Kinës së Jugut, vende të veçanta e kanë rritur kapacitetin e tyre detar gjatë viteve të fundit.

Vietnami ka bërë porosi për 6 nëndetëse nga Rusia, Malajzia ka kërkuar nëndetëse nga Franca dhe Indonezia ka në plan ta dyfishojë flotën e nëndetëseve.

Simon Trej, kryetar i Institutit të Singaporit për çështje ndërkombëtare, thotë se vendet aziatike kanë mendime të ndryshme lidhur me Kinën, të cilat janë të komplikuara nga realiteti ekonomik.

“Ne shohim me shpresë nga Kina, kur është fjala për ekonominë, por jemi të shqetësuar për politikën e saj dhe sigurinë… Dhe ne shohim nga Amerika me shpresë, përsa i përket krijimit të stabilitetit dhe paqes, që është themeli i rritjes sonë ekonomike”. Ashtu sikurse SHBA, vendet aziatike kanë lidhje në rritje me ekonominë kineze. Kjo krijon një dilemë lidhur me çështjen se si duhet trajtuar fuqizimi ushtarak me një vend që është njëkohësisht partneri më i madh tregtar i tyre.

Analistë të sigurisë theksojnë nevojën për vazhdimin e dialogut dhe shkëmbimeve ushtarake me Kinën, për të pakësuar keqkuptimet dhe tensionet. Pekini e ndërpreu dialogun ushtarak me SHBA vitin e kaluar, pasi Uashingtoni ra dakord t’i shesë armë Taivanit, një ishull i qeverisur në mënyrë demokratike, për të cilin Pekini thotë se duhet të ribashkohet me Kinën.

Vizita e sekretarit Gejts në Pekin muajin e kaluar u zhvillua në kuadrin e përpjekjeve për të rindërtuar marrëdhëniet mes të dy vendeve. Megjithatë, ushtria kineze ende nuk ka shprehur mbështetje për sugjerimin e zotit Gates që të dy vendet të vendosin një dialog të rregullt strategjik për çështje të sigurisë.

XS
SM
MD
LG