Lidhje

Fillon në Uashington Festivali Folklorik Smithsonian

  • Kris Simkins

Fillon në Uashington Festivali Folklorik Smithsonian

Fillon në Uashington Festivali Folklorik Smithsonian

Mbi 1 milion vetë mblidhen gjatë këtij sezoni në qendër të Uashingtonit, jo vetëm për festimet e 4 Korrikut, por edhe për Festivalin Folklorik Smithsonian. Për më shumë se 40 vjet, ky festival ka prezantuar kultura të ndryshme nga gjithë Shtetet e Bashkuara. Në vazhdim ju njohim me aktivitetet që e veçojnë festivalin e sivjetshëm:

Këtu dëgjohen tingujt e një grupi tradicional të muzikës meksikane…më tutje interpretojnë valltarë nga Havai.

Këto janë dy nga traditat etnike që janë shpalosur këtë vit në parkun qendror të Uashingtonit. Ky është aktiviteti kryesor kulturor për turistë dhe zhvillohet jo larg nga Kapitoli. Këtë vit në qendër të skenës janë kultura meksikane dhe e azi-paqësorit.

Steve Kidd është drejtor i festivalit. Ai thotë se njerëzit vijnë këtu për të mësuar dhe për të parë nga afër kultura nga Shtetet e Bashkuara dhe bota:

“Festivali u themelua mbi idenë se njerëzit e një kulture të caktuar janë më të aftë për ta përçuar atë se kushdo tjetër në Institutin Smithsonian. Prandaj i sjellim në Uashington për të prezantuar traditat e tyre dhe për t’u nderuar para publikut që vjen për të parë festivalin”.

Sylvia Ching nga Havai po u mëson fëmijëve që të bëjnë byzylykë me lule. Sylvia ndjehet krenare për kulturën e saj dhe do t’ia prezantojë botës:

“Ajo që është e rëndësishme është t’u tregoj të tjerëve sa i mrekullueshëm është Havai dhe t’i nxisim njerëzit të shkojnë atje. Shumë njerëz kënaqen atje”.

Zoti Kidd thotë se festivali tërheq mijëra turistë ndërkombëtarë:

“Ata vijnë këtu për t’u njohur me kulturën botërore dhe atë amerikane në një formë që s’bëhet në vend tjetër”.

Në një tendë tjetër, vizitorët mësojnë si të bëjnë makarona japoneze soba.

Ata mund të ndjekin edhe një ceremoni tradicionale meksikane për purifikim, të quajtur limpia, për të larguar dhimbjet dhe energjinë negative nga trupi, duke u lutur.

Jo larg prej aty, spektatorët ndjekin akrobatë që interpretojnë të lidhur me litarë, në një traditë festive meksikane, me rastin e të korrave. Richard Kurin është nënsekretar për historinë dhe kulturën në Institutin Smithsonian.

“Unë e shoh si një dialog të mrekullueshëm kulturor. Është një mënyrë përmes së cilës amerikanët dhe njerëz nga vende të tjera mund të shkëmbejnë veçoritë e tyre me njëri-tjetrin dhe të mësojnë”.

Organizatorët e festivalit thonë se ky aktivitet reklamon edhe muzeumin Smithsonian, ku njerëzit mund të mësojnë për artin, hapësirën dhe historinë amerikane.

XS
SM
MD
LG