Lidhje

Ligjvënësit amerikanë analizojnë kërcënimet ndaj transportit publik


Ligjvënësit amerikanë analizojnë kërcënimet ndaj transportit publik
Ligjvënësit amerikanë analizojnë kërcënimet ndaj transportit publik

Pas vrasjes së Bin Ladenit nga forcat amerikane, një numër ligjvënësish po shprehin shqetësimin se ka gjasa për sulme hakmarrëse nga përkrahësit e al-Kaidës. Komisioni i Sigurisë Kombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve hapi një diskutim mbi kërcënimet terroriste që i kanosen sistemit të transportit publik në vend.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare Piter King, shprehu shqetësimin që po përjetojnë shumë amerikanë pas vrasjes së Osama bin Ladenit se mund të ketë plane për sulme terroriste:

"Veçanërisht tani, pas vrasjes së Bin Ladenit, duhet të supozojmë që al-Kaida dhe aleatët e saj në gadishullin arabik, ose të gjitha rrjetet e tjera që përbëhen nga terroristë radikalë, apo individë të vetmuar që veprojnë në këtë vend, do të ndërmarrin sulme. Nëse po diskutojmë objektiva të mundshme, asnjë nuk përbën një objekt më të mundshëm se sistemi ynë i transportit publik”.

Pasi Presidenti Obama njoftoi të dielën se njësitë elitë të ushtrisë amerikane kishin vrarë bin Ladenin, disa qytete të mëdha si Nju Jorku, Uashingtoni dhe Los Anxhelos dislokuan një numër të madh policësh dhe agjentësh të sigurimit në aeroporte, metro dhe stacione trenash si dhe pika të tjera.

Riçard Dadario është Zëvendës Komisioner i Zyrës së Antiterrorizmit në Departamentin e Policisë për Nju Jorkun. Ai pohon se sistemi i transportit publik në pika të ndryshme të globit ka qenë shpesh objekt sulmesh që nga sulmet e 11 shtatorit, 2001 në Shtetet e Bashkuara.

"Pas 11 shtatorit, qindra akte terrorizmi kanë pasur në shenjestër sistemin e transportit publik si në Londër, në Moskë, Madrid dhe kohët e fundit në Minsk. Në Nju Jork, komplote të tilla kanë pasur në shenjestër sistemin e metrosë dhe rrjetin hekurudhor”.

Në seancën në Dhomën e Përfaqësuesve kishte plot njerëz që kujtonin komplotin për të aktivizuar bomba artizanale në sistemin e metrosë së Nju Jorkut nga Naxhibullah Zazi. Ai u arrestua në vitin 2009, dhe pranoi fajësinë ndaj akuzave për terrorizëm dhe tani mund të dënohet me burgim të përjetshëm pasi të jepet vendimi në qershor.

Xhon Pistole drejton Administratën për Sigurinë e Transportit në Shtetet e Bashkuara. Në përgjigje të pyetjes nëse aktualisht ka kërcënime në rritje ndaj sistemit të transportit publik në Shtetet e Bashkuara që nga vrasja e bin Ladenit zoti Pistole tha:

"Nuk ka kërcënime konkrete ndaj transportit publik apo transportit hekurudhor në Shtetet e Bashkuara”.

Por zoti Pistole tha se nuk ka arsye që zyrtarët apo qytetarët e thjeshtë të ulin vigjilencën apo vëmendjen për kërcënime të mundshme:

"Sot, ashtu si dje, apo qoftë edhe nesër, ekziston shqetësimi se terroristët po përpiqen të na cënojnë, të na vrasin me çdo mjet dhe mënyrë të mundshme dhe duhet ta pranojmë se rrjeti i transportit është një nga pikat e dobëta”.

Në një kohë kur po debatohen shkurtime dramatike të buxhetit federal, komisionerët e policisë që morën pjesë në seancën me pyetje-përgjigje si dhe pjesa më e madhe e ligjvënësve nga të dyja partitët kryesore thanë se do të ishte e pakuptimtë të reduktoheshin fondet federale për sigurinë në sistemin e transportit publik. Ligjvënësi King tha se kostoja ekonomike dhe njerëzore e çdo sulmi të suksesshëm terrorist do të ishte tepër e madhe krahasuar me fondet që do të kurseheshin nga këto reduktime.

XS
SM
MD
LG