Lidhje

Fajon: Reformat – pastaj liberalizimi i vizave

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Fajon: Reformat – pastaj liberalizimi i vizave

Fajon: Reformat – pastaj liberalizimi i vizave

Deri në fund të këtij viti, Kosova mund të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin perëndimorë, qytetarët e të cilit do të vazhdojnë të kërkojnë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave në Ballkanin perëndimor Tanja Fajon, tha se Kosova nuk mund të mbetet e izoluar dhe një vrimë e zezë në rajonin e Ballkanit perëndimor. Komentet e saj u bënë në kuadër të një vizite në Kosovë gjatë së cilësi ajo ka debatuar me autoritetet e vendit, kriteret që duhet përmbushur për përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

“Ju e dini se së shpejti Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina do të përfshihen në regjimin pa viza dhe me këtë qytetarët e pesë vendeve të Ballkanit perëndimorë do të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm në Bashkimin Evropian”, tha zonja Fajon duke shfaqur shpresën se Kosova së shpejti do të jetë e gatshme për t’u përfshirë në këtë proces.

Zonja Fajon tha se dhjetë nëntori, kur Komisioni Evropian pritet të paraqes Raportet e Progresit në kuadër të së ashtuquajturës Pako e Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor është koha kur mund të ketë lajme të mira për Kosovën dhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Ajo tha se ky është një proces i gjatë dhe kërkon përmbushjen e shumë kritereve të rëndësishme dhe zbatimin e shumë reformave të domosdoshme që nga siguria e kufijve, siguria e dokumenteve, përkatësisht pasaportat biometrike, hapave të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Parlamenti Evropian tha ajo do të nxisë autoritetet e Kosovës për të ecur përpara me reformat meqë liberalizimi i vizave është hap i rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Por, ajo tha se çështjet politike nuk janë përcaktuese për këtë proces.

“Mendoj se mosnjohja nga shtetet anëtare nuk ka të bëjë me këtë proces teknik. Presim që Komisioni Evropian të lëshojë disa udhëzime të qarta, një strategji për heqjen e regjimit të vizave dhe që Kosova të përqendrohet në zbatimin e këtyre kritereve”, tha zonja Fajon.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, tha se Prishtina ka pritur që në shtator të marrë strategjinë për liberalizimin e vizave.

“Ato kërkesa që duhet për me marr udhërrëfyesin zyrtarë apo strategjinë, ne i kemi plotësuar dhe me të drejt presim që sa më shpejt ta kemi në dispozicion, në mënyrë që në atë udhërrëfyes dhe dialog nënvizohen cilat kushte tjera duhet plotësuar për me qenë në statusin e "free visa" regjimit . Ne i dimë përafërsisht cilat janë, mirëpo ato duhet të nënvizohen sepse secili shtet i ka specifikat e veta”, tha zoti Rexhepi.

Të dy zyrtarët shfaqën shpresën se deri në fund të vitit të ardhshëm edhe Kosova do të jetë në këtë proces, ndërsa u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që pritjet nga ky proces të jenë reale, të mos mendohet se me hyrjen në regjimin e lirë pa viza, do të jetë e garantuar edhe puna në vendet e Bashkimit Evropian. Komentet e tyre pasuan shqetësimet e ngritura nga autoritetet evropiane për siç thuhet dështimin e Serbisë e Maqedonisë që të ndalin valën e strehimkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian.

Komisarja Evropiane për punë të brendshme Cecilia Malmstrom u ka shkruar një letër ministrave të brendshëm të këtyre dy vendeve në të cilën thuhet se kjo tendencë është shumë shqetësuese dhe seriozisht mund të dëmtojë gjithë procesin e liberalizimit të vizave në Ballkanin Perëndimor.

XS
SM
MD
LG