Lidhje

Kosovë: Konkretizohen ndryshimet në qeveri

  • Leonat Shehu

Kosovë: Konkretizohen ndryshimet në qeveri

Kosovë: Konkretizohen ndryshimet në qeveri

Ndërrimet në gjashtë ministri dhe shtimi i një ministrie të re, përmbyllën procesin e ndryshimeve në qeverinë e Kosovës. Të dy partitë e koalicionit qeverisës kanë ndërruar nga tre ministra në qeverinë e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi.

Nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës janë ndërruar ministri i administratës publikë Arsim Bajrami të cilin e zëvendëson Edita Tahiri, ai i punëve të brendshme Zenun Pajaziti që zëvendësohet nga ish kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi dhe ai i bujqësisë Idriz Vehapi, vendin e të cilit e zuri Blerand Stavileci.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës në vend të Nekibe Kelmendit, ministre e drejtësisë, vuri Haki Demollin, në vend të Alush Gashit, ministër i shëndetësisë vuri ish kryeministrin e shqiptarëve në mërgim Bujar Bukoshin dhe në vend të Valton Beqirit, ministër i kulturës, Lutfi Hazirin.

Kabinetit të ri qeveritar i është shtuar edhe ministria e integrimeve e cila do të drejtohet nga Besim Beqaj

Mundësia e ndryshimeve në qeverinë e Kosovës qe paralajmëruar që në raundin e parë të zgjedhjeve për pushtetin lokal të vitit të kaluar, fushata për të cilat u përshkua nga përplasje të forta ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, që për një kohë të gjatë kishin qenë edhe rivalët kryesor politik. Mundësia e ndryshimeve është mbështetur edhe nga prania ndërkombëtare në Kosovë e cila ka bërë thirrje edhe për veprime ligjore ndaj zyrtarëve të dyshuar për përfshirje në korrupsion dhe keqpërdorime financiare.

Ndryshimet e paralajmëruara në qeverinë e Kosovës janë kritikuar nga opozita e cila i vlerëson ato si veprim për të shmangur organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për pushtetin qendror në vend.

XS
SM
MD
LG