Lidhje

Kosovë: Bajram Asllani arrestohet për mbështetje të veprimtarisë terroriste


Kosovë: Bajram Asllani arrestohet për mbështetje të veprimtarisë terroriste

Kosovë: Bajram Asllani arrestohet për mbështetje të veprimtarisë terroriste

Një 29 vjeçar me banim në Mitrovicë u arrestua sot nga autoritetet e Kosovës nën akuzat për mbështetje të veprimtarive terroriste. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, i arrestuari është Bajram Asllani, 29 vjeçar, banor i Mitrovicës. Ai dyshohet për përkrahje materiale terrorizëm dhe planifikim për vrasje, rrëmbime, gjymtime, ose plagosje të së personave në shtete të huaja.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se njësia kundër terrorizmit e Policisë së Kosovës, nën mbikëqyrjen e prokurorit të Misionit të Bashkimit Evropian për policinë e drejtësinë nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës, arrestoi një shtetas shqiptar të Kosovës në bazë të një kërkese të bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas autoriteteve amerikane, Asllani, me emrin e koduar si “Ebu Hatab”, është arrestuar në bazë të një urdhër arrestimi të lëshuar nga prokuroria e Qarkut Lindor të Karolinës së Veriut. Në korrik të vitit të kaluar autoritetet amerikane në Karolinën e Veriut ngritën akuza kundër 8 personave për të cilët thuhej se kishin plane për të ndërmarrë sulme terroriste jashtë vendit. Ata akuzohen se janë përpjekur për t’u siguruar mbështetje materiale terroristëve, si dhe për të vrarë, rrëmbyer e plagosur persona jashtë vendit. Në mesin e të akuzuarve është edhe Hysen Sherifi, një shqiptar nga rajoni i Gjilanit.

Padia ndaj Asllanit për përfshirje në planet e këtij grupi, e bërë e ditur sot, ishte ngritur në prill të vitit të kaluar. Autoritetet amerikane dyshojnë se ai ka komunikuar me pjesëtarët e grupit nga të cilat ka marrë mbështetje financiare për krijimin e bazës së veprimeve në Kosovë në funksion të xhihadit të dhunshëm. Ndër të tjera thuhet se Hysen Sherifi ka udhëtuar në Kosovë në qershor të vitit 2008 për të nxitur xhihadin. Gjatë qëndrimit në Kosovë ai ka vendosur marrëdhënie me Bajram Asllanin, të cilit më pas i referohej si “vëllai”.

Bajram Asllani e ka furnizuar Sherifin me pamje filmike mbi xhihadin me qëllim të përkthimit të tyre dhe shfrytëzimit në funksion të rekrutimit dhe motivimit të personave të tjerë. Po ashtu, Bajram Asllani, thuhet në njoftimin e Departamentit të Drejtësisë, ka kërkuar nga Sherifi që të mbledhë para për krijimin e një bazë ku do të mund të mblidheshin armët dhe prej nga do të mund të zhvilloheshin operacionet e luftës së shenjtë në Kosovë apo edhe gjetiu. Sherifi thuhet se e ka bërë një gjë të tillë duke mbledhur 15 mijë dollarë dërgimi i të cilave është bllokuar pas arrestimit të tij në korrik të vitit të kaluar.

Të dyshuarit Sherifi dhe Asllani bëin pjesë në të njejtin grup, që kryesohej nga Daniel Boyd. Sipas akt-padisë së shtatorit të vitit 2009, Daniel Boyed, Hysen Sherifi dhe Zaakariya Boyed akuzohen për planifikim ndër të tjera, të një sulmi kundër bazës së marinsave amerikanë në Quantico të shtetit Virxhinia. Sipas autoriteteve amerikane, daniel Boyd ka shprehur dëshirën për të ndihmuar Sherifin të siguronte fonde për një lëvizje muxhahedine në Kosovë.

Nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm në Kosovë ku edhe të kaluarën ka disa raste të arrestimeve nën dyshimet për përfshirje në veprimtari terroriste.

XS
SM
MD
LG