Lidhje

Kosova shënon ditën e Evropës; BE kërkon plan të veçantë për veriun

  • Leonat Shehu
  • Zëri Amerikës

Në Kosovë, autoritetet ndërkombëtarë kanë shtuar thirrjet drejtuar institucioneve të Prishtinës për një qasje gjithëpërfshirëse në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar, ka ritheksuar se pasi të ulet tensioni i krijuar gjatë zgjedhjeve serbe në veri duhet të punohet në qasjen ndaj asaj pjese në mënyrë që njerëzit të cilët jetojnë atje të ndjehen më mirë dhe të pranojnë realitetin në Kosovë. Por, ai tha se autorë të planit duhet të jenë vet institucionet e Kosovës.

“Nuk mendoj se unë duhet t’i them Kosovës se çfarë duhet të jetë plani për veriun. Mendoj se qeveria dhe njerëzit në Kosovë e dinë më mirë se si t’u qasen dhe t’u shtrijnë dorën njerëzve në veri për t’i bindur se Kosova është dhe dëshiron te mbetet shoqëri shumetnike. Që Kosova e mirëpret komunitetin serb dhe që do të bëjë gjithë çfarë është e mundur që serbët të qëndrojnë aty ku janë”, tha zot Zhbogar i cili sërish i cilësoi të papranueshme strukturat paralele të sigurisë në veri.

“Unë e vëzhgoj situatën në Prishtinë dhe e shoh frustrimin që veriu nuk është integruar. Unë flas me njerëzit në veri dhe shoh frustrimin atje për shkak të situatës. Prandaj është koha për të ecur përpara për të gjithë në Kosovë”, tha zoti Zhbogar sipas të cilit në të ardhmen edhe Serbia mund të luajë rolin e saj në këtë proces por fillimisht Prishtina duhet t’u shtrijë dorën serbëve në veri.

“Diskutimet me Serbinë mbase do të ndodhin më vonë, varësisht nga roli që i përshkruhet Serbisë. Por si shtet që ka qytetarë këtu, besoj se do të jetë e përfshirë në një të ardhme, por mendoj se fillimi është në qasjen e Prishtinës ndaj veriut”, tha zoti Zhbogar.

Komentet e zotit Zhbogar u bënë gjatë veprimtarive të shumta që janë organizuar sot në Prishtinë për të shënuar nëntë majin ditën e Evropës. Dita e sotme në Kosovë është festë shtetërore dhe ditë pushimi, ndonëse ajo është i vetmi vend i Evropës juglindore qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza dhe e fundit që mori premtimet për t’u përfshirë në procesin e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Duke marrë pjesë në manifestimet e sotme në Prishtinë, ministrja e integrimeve Vlora Çitaku tha se Kosova duhet të përmbushë pjesën e saj të punës për të realizuar aspiratat për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Unë e kuptoj këtë demonstrim të sotëm si një mundësi e jona për të dërguar sinjale të forta në Bruksel se ne duam të jemi pjesë e familjes evropiane, por përfundimisht pjesë e Bashkimit Evropian do të bëhemi atëherë kur të përmbushim reformat dhe detyrimet”, tha ministrja Çitaku.

Kosova pret që deri në fund të pranverës të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, ndërsa në vjeshtë mund të priten rezultatet e para të studimit të fizibilitetit me të cilin i hapet rruga fillimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me Bashkimin Evropian, që është parakusht para se ajo të kërkojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Në të gjitha proceset Kosova përballet me sfidën që paraqet fakti që edhe më tej pesë nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

XS
SM
MD
LG