Lidhje

Kosovë: Rinumërim votash e plane për qeverisjen e ardhshme


Kosovë: Rinumërim votash e plane për qeverisjen e ardhshme
Kosovë: Rinumërim votash e plane për qeverisjen e ardhshme

Do të duhen edhe pesë ditë të tjera për të përfunduar rinumërimin e votave nga 40 për qind e vendvotimeve, një vendim ky që pasoi shqetësimet e ngritura për parregullsi në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit. Bashkërenduesi i Qendrës për numërimin e votave Burim Ahmetaj, tha se rinumërimi i votave nga rreth 760 vendvotime kërkon më shumë kohë nga sa ishte parashikuar fillimisht.

“158 vendvotime janë rinumëruar dhe kanë ardhur në auditim, nga këto 106 formularë dhe pjesa më e madhe e tyre është brenda nivelit të tolerancës dhe mund të procedohen si të rregullta”, tha zoti Ahmetaj.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha sot se rinumërimi i votave mund të çojë në përsëritje votimesh edhe në komuna të tjera, por kjo mund të dihet vetëm pasi të ketë përfunduar procesi.

“Kur ta kemi përfundimisht rezultatin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve lidhur me kutitë të cilat do të rinumërohen, ne do ta dimë edhe nivelin e parregullsive edhe nivelin e asaj se sa kuti kanë qenë në përputhje, ka pasur edhe gabime teknike të cilat pastaj janë evituar dhe janë futur në rezultat përfundimtar“, tha zonja Daka.

Më 9 janar të vitit që po vjen, do të ketë rivotime të plota e të pjesshme në pesë komuna të Kosovës për shkak të parregullsive të shfaqura në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Derisa vazhdojnë debatet rreth procesit zgjedhor dhe përgatitjeve për rivotim në të paktën pesë komuna të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës e cila sipas rezultateve paraprake është fituese e zgjedhjeve ka filluar tashmë përpjekjet për krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Kjo parti tashmë edhe zyrtarisht ka diskutuar mundësinë e koalicionit me Aleancën Kosova e Re, një parti kjo e cila në një koalicion edhe me shtatë subjekte të tjera fitoi 7.1 për qind të votave në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Derisa është vënë në kërkim të partnerëve me të cilët do të qeveriste vendi, Partia Demokratike i ka hedhur poshtë të gjithë mundësitë që të bëjë kompromis për postin e kryeministrit, post ky që është përcaktuar për kryetarin e kësaj partie, Hashim Thaçi.

Ndërkaq, zyrtarë të Aleancës Kosova e Re, thonë se posti i presidentit të Kosovës është një nga kushtet për të hyrë në koalicion me Partinë Demokratike.

Tashmë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje kanë hedhur poshtë çdo mundësi të koalicionit me Partinë Demokratike, ndërsa një qëndrim jo shumë të favorshëm për këtë e ka deklaruar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, Partia Demokratike sipas analistëve duket se do të ketë nevojë edhe për këtë parti, meqë themelimi I qeverisë së re nënkupton 61 vota në Parlament, ndërsa qëndrueshmëria e saj ka nevojë për më shumë vota.

Një qeveri e qëndrueshme, thotë ata është me rëndësi të veçantë për shkak të proceseve që e presin shtetin e ri.

XS
SM
MD
LG