Lidhje

Energjia elektrike në Kosovë, projektet dhe dilemat

  • Leonat Shehu
  • Zëri Amerikës

Energjia elektrike në Kosovë, projektet dhe dilemat

Energjia elektrike në Kosovë, projektet dhe dilemat

Kur flitet për energjinë elektrike në Kosovë, ka një pajtim në shkallë të gjerë se ajo mungon në sasitë e nevojshme për qytetarët e saj. Por, rrugëdalja është burimi i mospajtimeve. Një grup organizatash joqeveritare në fillim të këtij muaji nxorën një studim mbi projektet energjetike në Kosovë, në të cilin shprehen shqetësime lidhur me planet e qeverisë së Kosovës për ndërtimin e Termocentralit të ri për prodhim të energjisë nga linjiti. Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Besim Beqaj tha sot se është interes themelor i Kosovës që të ketë energji të sigurt për furnizim të qytetarëve dhe e përballueshme për kushtet e tyre ekonomike.

“Synimi tjetër është që këtë treg energjetik ta kthejmë në treg të vetë qëndrueshëm, pa pas nevojë për subvencionime të qytetarëve përmes qeverisë së Kosovës. Dhe synimi i tretë, sipas të cilit janë ngritur edhe debate të shumta është kujdesi ndaj ambientit, duke marr obligime të jashtëzakonshme në traktatin e energjisë i cili e thekson qartë për ndërtimet e kapaciteteve të reja, se çfarë duhet të jenë dhe çfarë standardesh duhet të plotësojnë”, tha ministri Beqaj.

Por Agron Demi nga instituti për studime të avancuara thotë se para çdo vendimi duhet të shqyrtohet mundësitë tjera që do të linin si zgjidhje të fundit përdorimin e qymyrit.

“Ne kemi konsideruar në studimin tonë se është herët të vendoset për kapacitetet e reja nga linjiti kur ne nuk kemi marr asnjë masë për ti zvogëluar humbjet, që tani konsiderohen të jenë dyzet e tre për qind në rrjet, nuk kemi investuar në kursimin e energjisë, nuk i kemi bërë studimet tjera alternative për shkak se sipas parimeve të brendshme të Bankës Botërore, ajo angazhohet në ato projekte kur qymyri është alternativa e fundit për të investuar”, tha zoti Demi.

Qeveria thotë se ka një dallim të madh të kostos së energjisë nga qymyri dhe asaj nga burime të ripërtërishme.

“Investimi dhe faturimi nga energjitë e ripërtërishme te qytetarët do të jetë së paku pesë herë më i lartë se sa që është sot, prandaj ne e kemi obligim për të balancuar në mes të mundësive të qytetarëve për të paguar dhe normalisht stabilitetit energjetik të cilën ne duhet ta kemi”, tha ministri Beqaj.

“Thuhet se termocentrali i ri "Kosova e Re" do të ketë teknologjinë më të mirë të mundshme. Teknologjia më e mirë e mundshme është kapja e karbonit dhe ruajtja e tij e cila sipas vlerësimeve do ta rrisë çmimin e energjisë për dyzet e pesë për qind, në anën tjetër parashikimet për karbonin kanë me qenë që deri në vitin 2020 do të rritet ky çmim dhe deri në vitin 2020 energjia alternative ka me qenë ndoshta më e lirë se sa ajo e qymyrit”, tha zoti Demi.

Termocentrali i ri i planifikuar të ndërtohet do të prodhonte afërsisht 1 mijë megavat orë energji elektrike dhe pritet të kushtojë nga 700 milion deri në një miliardë euro. Projekti fillestar i cili që publikuar në vitin 2006 parashihte një termocentral me fuqi prej mbi 2 mijë megavat orë energji elektrike duke synuar siç është thënë shndërrimin e Kosovës në një fuqi rajonale të prodhimit të energjisë elektrike. Ish ministri i energjisë dhe minierave Ethem Çeku thotë se ka disa mundësi për sigurimin e energjisë elektrike por linjiti mbetet burimi kryesor.

“Ne tani kemi resurse të mjaftueshme siç është linjiti dhe kemi diçka që gjeneron nëpërmjet ujit, janë dy elemente të cilat japin mundësi të prodhimit të energjisë. Elementi i tretë është energjia solare e cila po ashtu në Kosovë mund të gjenerohet edhe pse është e kushtueshme dhe nuk mund të jetë bazament i fuqishëm i zhvillimit ekonomik të vendit”, tha ish ministri Çeku.

Ai thotë se zhvillimet në botë dhe mungesa e energjisë ka shtyrë edhe vende të zhvilluara t’i rikthehen prodhimit të energjisë nga linjiti.

“Pas zhvillimeve që ndodhën në Japoni dhe rrezikshmëria që sollën centralet bërthamore, e shtyjnë që linjiti të jetë një resurs i cili mund të përdoret për zhvillimin e sektorit energjetik, nën kontrollin e plotë për problemet që kanë të bëjnë me mjedisin sepse jemi dëshmitar për ngrohjen globale dhe ndikimit të karbonit në ngrohjen globale”, tha ish ministri Çeku.

Deri në zgjidhjen e çështjes së sigurimit me energji të mjaftueshme, vendi do të vazhdojë të përballet me vështirësi dhe të varet nga prodhimi i termocentraleve të vjetra e të mbajtura keq që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, janë të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.

XS
SM
MD
LG