Lidhje

Engel: Përfitimet e Kosovës nga marrëveshja, më të mëdha se humbjet

  • Festim Gashi
  • Zëri Amerikës

Në një intervistë për për Zërin e Amerikës, ligjvënësi nga Nju Jorku, Eliot Engel, tha se përfitimet e Kosovës nga marrëveshja me Serbinë mbi përfaqësimin e saj në forumet rajonale dhe ndërkombëtare janë më të mëdha se sa humbjet. Ai tha se do të dëshironte që Serbia dhe Kosova të anëtarësohen së bashku në Bashkimin Evopian.

Zëri i Amerikës: Zoti Engel, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe ndërkombëtare duket sikur i ka hapur rrugën Serbisë që ajo të marrë statusin e kandidatit për në BE. Para se të flasim për reagimet rreth marrëveshjes, a mund të na jepni mendimin tuaj për dhënien e statusit Serbisë nga ana e BE-së?

Eliot Engel: Unë nuk jam i gëzuar që Serbia tani mori statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian. Unë nuk jam kundër anëtarësimit të Serbisë në BE, sepse një ditë edhe Kosova do të bëhet anëtare e BE-së dhe BE-ja është mënyrë e mirë që vendet të bashkëpunojnë me njeri-tjetrin ndërkohë që kufijtë nuk janë aq të rëndësishëm kur vendet anëtarësohen në BE. Por, në një kohë kur Kosova po mbahet jashtë OKB-së kryesisht për shkak të Serbisë dhe kur, sipas mendimit tim, Serbia nuk po bën atë që duhet ose nuk vepron me përgjegjësi në marrëdhëniet me Kosovën, unë nuk do ta shpërbleja Serbinë. Unë do të doja që Kosova dhe Serbia së bashku të bëhen anëtare të BE-së. Por ne tani duhet të sigurohemi që mundësitë të jenë të hapura që një ditë edhe Kosova të bëhet anëtare e BE-së. Duhet të sigurohemi që Serbia nuk do të jetë e aftë të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në BE ashtu siç e ka bllokuar Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së. Prandaj unë mendoj se këto gjëra janë të rëndësishme.

Zëri i Amerikës: Udhëheqësit e opozitës në Kosovë janë të shqetësuar se përmendja e rezolutës 1244 është një hap prapa për Kosovën dhe mund të ketë pasoja për sovranitetin e saj. A ka arsye që ata të jenë të shqetësuar?

Eliot Engel: Mendoj se ata duhet ta shohin marrëveshjen si tërësi. Mua nuk më pëlqen rezoluta 1244. Mendoj se ajo nuk ishte rezolutë e mirë. Por duhet të shihet konteksti. Marrëveshja nuk përmend vetëm rezolutën 1244, ajo merr parasysh edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sipas të cilit Deklarata e Pavarësisë e Kosovë nuk është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare. Prandaj unë mendoj se nëse marrëveshja shihet nga ky kontekst, ajo është një plus i madh për Kosovën. I jep Kosovës përfaqësim si një shtet dhe entitet i pavarur. Në thelb, unë do ta shikoja atë si mënyrë që detyron Serbinë të pranojë Kosovën si shtet të pavarur sepse kemi dy shtete të cilat flasin me njeri tjetrin, pra Serbia dhe Kosova. Kështu që unë mendoj se në çdo marrëveshje të madhe nuk merr dot 100 për qind të asaj që dëshiron, përpiqesh të marrësh 100 përqind, por asnjëra palë nuk merr gjithçka. Unë mendojë se ne tërësi kjo është një marrëveshje e mirë për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Kritikët argumentojnë se përfitimet e Serbisë nga kjo marrëveshje janë të menjëhershme, kurse përfitimet e Kosovës janë të pakta dhe mund të vihen në rrezik sepse nuk ka konsensus mes vendeve të BE-së në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Eliot Engel: Mendoj se këto janë shqetësime të arsyeshme. Mendoj se kur arrihet një marrëveshje duhet të merren parasysh shqetësimet si këto por mendoj që përfitimet janë më të mëdha se sa shqetësimet. Dhe pikërisht kështu është rasti me marrëveshjen në fjalë. Dua t’ju citoj nga deklarata e komisioneres së BE-së për punët e jashtme, Catherine Ashton e cila u takua të mërkurën me kryeministrin Hashim Thaçi. Ajo thotë se në diskutimet me kryeministrin Thaçi e ka përsëritur dëshirën e BE-së që Kosova të afrohet më tepër drejt Bashkimit Evropian. Kemi një vit të pasur në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian, marëdhëniet me Kosovën, studimin e fizibilitetit, dialogun për liberalizimin e vizave, marrëveshjet tregtare, pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së, dhe shpresojmë në anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim. Këto janë gjëra të mëdha që zonja Ashton ka thënë se Kosova do të fitojë nga marrëveshja. Prandaj mendoj se kjo është shumë pozitive. Është e vërtetë që ka gjëra që nuk më pëlqejnë në këtë marrëveshje, ka gjëra për të cilat Kosova duhet të shqetësohet. Sërbët kanë një histori të tmerrshme përsa i përket mospërmbushjes së premtimeve. Është lehtë të premtosh por kur vjen koha për përmbushjen e tyre, sërbët nuk kanë bërë atë që duhet. Ne duhet t’i mbajmë përgjegjës për këtë. Pardje patëm një seancë dëgjimore në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë me sekretaren e shtetit Hillary Clinton. Unë ngrita këtë çështje dhe i thashë sekretares Clinton se sërbët duhet ta kuptojnë se ata duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që nënshkruajnë me Kosovën. Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë se nuk duhet të ecë kaq shpejt me pranimin e Serbisë, nëse Serbia nuk bën atë që duhet. Për shembull, ende ka probleme në veri të Mitrovicës. Kjo nuk më pëlqen dhe mendoj se Serbia duhet të detyrohet t’i ndalë keto veprime të palogjikshme. Serbia nuk duhet të mbështesë institucionet paralele, referendumet që sërbët e veriut po organizojnë. Këto janë provokime. Pra, ka arsye për të qënë skeptikë. Por në tërësi, mendoj se Kosova përfiton më shumë se sa humb nga kjo marrëveshje. Dhe përsëri e them se marrëveshja përmban njohjen e Kosovës si një shtet të lirë dhe të pavarur nga të gjithë, duke përfshirë Serbinë.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët edhe ju, ka shqetësime se në të ardhmen Serbia mund të bllokojë integrimin e Kosovës në BE. Sa e mundur është kjo?

Eliot Engel: Mendoj se ky shqetësim duhet të trajtohet dhe të diskutohet në mënyrë që në të ardhmen të mos përbëjë problem. Mendoj se qeveria e Kosovës është duke punuar shumë. Kryeministri ka treguar aftësi të mëdha politike për të marrë një vendim për të qëndruar pranë Shteteve të Bashkuara, të cilat i kanë bërë thirrje të pajtohet me këtë marrëveshje dhe me Bashkimin Evropian. Mendoj se në fund të fundit ardhmëria e Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe me mikun më të mirë dhe aleatin e saj Shtetet e Bashkuara. Mendoj se ky ishte një veprim i guximshëm duke marrë parasysh se asgjë nuk është e sigurt dhe rreziqet ekzistojnë. Por gjërat duhet të peshohen mirë dhe mendoj se Kosova këtu fiton më shumë se sa humb. Nuk them se nuk duhet të shqetësohemi, por duhet të sigurohemi se premtimet do të përmbushen. Unë do të thoja se nëse sërbët nuk i përmbushin premtimet, atëherë Kosova duhet të jetë e kujdesshme kur të nënshkruajë marrëveshje në të ardhmen. Mendoj se kjo ishte një mundësi që ia vlente të shfrytëzohej dhe e përshëndes kryeministrin që e bëri këtë.

Zëri i Amerikës: Si anëtar i Nënkomisionit të Kongresit për Evropën, cili është mendimi juaj mbi politikën amerikane në Ballkan? A duhet një angazhim më i madh i Shteteve të Bashkuara në Ballkan apo duhet t’i lihet Evropës të marrë rolin udhëheqës?

Eliot Engel: Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më të angazhuara. Nuk kam besim kur Evropa merr rolin udhëheqës. Nëse Shtetet e Bashkuar nuk do të ishin angazhuar në vitin 1999, nuk do të kishte bombardime dhe sërbët do të ishin ende në Kosovë pa asnjë shqiptar atje. Shtetet e Bashkuara u desh të merrnin rolin udhëheqës për të angazhuar evropianët. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Bosnje. Mendoj se është me rëndësi që Shtetet e Bashkuara të jenë të angazhuara në Ballkan. Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara janë miku më i mirë i Kosovës. E di se edhe Kosova dëshiron që ne të jemi të angazhuar atje. Ata na besojnë ne dhe e dinë se qeveria amerikane do të luftojë për ta, e dinë se Eliot Engeli gjithmonë do të luftojë për ta në zyrat e kongresit. Presidenti Barak Obama dhe sekretarja Klinton gjithashtu do të jenë me Kosovën. Mendoj se kjo është e rëndësishme. Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të angazhuara në rajon.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG