Lidhje

Kosovë: Një gjykatës i EULEX konfirmon aktakuzën në çështjen "Medicus"

  • Leonat Shehu
  • Zëri Amerikës

Kosovë: Një gjykatës i EULEX konfirmon aktakuzën në çështjen "Medicus"

Kosovë: Një gjykatës i EULEX konfirmon aktakuzën në çështjen "Medicus"

Zyrtarë të EULEX-it në Kosovë thanë sot se një gjykatës i këtij misioni ka konfirmuar aktakuzën kundër katër personave të pandehur për ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndërkaq, gjykatësi ka hedhur poshtë akuzat për trafikim të personave dhe krim të organizuar.

Vitin e kaluar prokuroria e Kosovës ngriti një akuzë kundër shtatë personave për trafikim të organeve njerëzore, krim të organizuar, ushtrim të paligjshëm të veprimtarive mjekësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në mesin e të akuzuarve kishte mjekë dhe një person, që më parë ka punuar në nivel të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas akuzës fillestare, të gjithë këta kanë qenë të përfshirë në rekrutimin e 20 shtetasve të huaj nga Moldavia, Kazakistani, Rusia dhe Turqia, të cilëve pretendohet se u ishin premtuar nga 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u ishte kërkuar që të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë.

Akuza për trafikimin e organeve, ka të bëjë me zhvillimet në klinikën private “Medicus” në Prishtinë në vitin 2008. Një transplantim i paligjshëm i një veshke që ishte kryer në një klinikë private në Prishtinë atë vit kishte çuar në arrestimin e tre udhëheqësve të asaj klinike si dhe në pezullimin nga puna të një zyrtari të Ministrisë së Shëndetësisë.

Prokuroria tha se do të parashtrojë ankesë kundër vendimit të sotëm të gjykatës për të hedhur poshtë pikat e aktakuzës që nuk janë konfirmuar e që kanë të bëjnë me trafikimin e personave dhe krimin e organizuar.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG