Lidhje

Kosovë: Vazhdojnë përpjekjet për krijimin e qeverisë së re

  • Leonat Shehu

Kosovë: Vazhdojnë përpjekjet për krijimin e qeverisë së re

Kosovë: Vazhdojnë përpjekjet për krijimin e qeverisë së re

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, kishte paralajmëruar krijimin e shpejtë të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por, procesi nuk duket aspak i lehtë dhe as i shpejtë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që shihej si partneri më i mundshëm i koalicionit të ri qeverisës, vendosi se nuk do të hyjë në qeverinë e re me Partinë Demokratike, nëse aty nuk përfshihet edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo e fundit ritheksoi vendimin e saj se do të mbetet në opozitë.

Kjo e ka vënë në situatë të re Partinë Demokratike e cila ka paralajmëruar që gjatë kësaj jave do të zhvillojë bisedime me partitë tjera për themelimin e një qeverie, siç është thënë, shumetnike e shumë përfshirëse, por ende nuk ka dërguar asnjë ftesë tek subjektet tjera, të paktën jo zyrtarisht. Tash ne tryezë është hedhur edhe mundësia që pjesë e qeverisë të jetë Aleanca Kosova e Re, e afaristit Behgjet Pacolli, i cili ngulë këmbë që të ketë për vete postin e presidentit të vendit. Jo zyrtarisht thuhet se udhëheqësit e të dyja partive janë takuar privatisht për të diskutuar mundësitë e partneritetit qeverisës.

Nëse Partia Demokratike vendosë që të krijojë qeverinë me Aleancën Kosova e Re dhe me pakicat kombëtare, atëherë dallimi në numrat e deputetëve me opozitën do të jetë shumë i vogël. Me kusht që të gjitha partitë e pakicave do të përshiheshin në qeverinë e re, koalicioni do të kishte 67 nga 120 deputetë sa ka parlamenti i Kosovës. Por, një pjesë e deputetëve serb kanë paralajmëruar se nuk do të hyjnë në qeveri me kryeministrin në largim Hashim Thaçi.

Të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vërtetoi rezultatet e votimeve dhe nga ajo ditë brenda një muaji, duhet të mblidhet Parlamenti i Kosovës dhe për të emëruar mandatarin për qeverinë e re, i cili duhet që brenda 15 ditësh të paraqesë kabinetin e ri.

Presidenti në detyrë Jakup Krasniqi, ka paralajmëruar për nesër takimin me partitë parlamentare për të caktuar ditën e mbledhjes së Parlamentit në fillim të javës që po vjen.

Pavarësisht debateve me tone krejt të ndryshme, të gjitha forcat politike pajtohen se duhet përshpejtuar procesin e krijimit të institucioneve të reja, për shkak të sfidave që e presin Kosovën gjatë ditëve në vijim, duke filluar nga nevoja e miratimit të buxhetit, bisedimeve me Serbinë dhe përballjen me gjendjen e krijuar pas raportit të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG