Lidhje

Kosovë: Javën e ardhshme mocioni i mosbesimit për qeverinë


Kosovë: Javën e ardhshme mocioni i mosbesimit për qeverinë
Kosovë: Javën e ardhshme mocioni i mosbesimit për qeverinë

Kryesia e Parlamentit të Kosovës caktoi për të martën seancën e radhës kur do të votohet mocioni për mosbesim ndaj qeverisë. Ky mocion u dorëzua mbrëmë nga Aleanca Kosova e re e cila ishte edhe nismëtare e tij. Nënkryetari i kësaj partie Ibrahim Gashi tha sot se grumbullimi i 40 nënshkrimeve për këtë mocion ishte një veprim në përpjekje për tejkalimin e gjendjes aktuale politike në vend dhe ishte në funksion të interesave të Kosovës.

“Ka pasur interesa të Kosovës, se Kosova faktikisht është në krizë institucionale për mos të thënë në kollaps institucional. Kemi një President ushtrues detyre, kemi një Parlament që s’po mund të funksionoj sepse grupi më i madh që ka qenë pjesë e koalicionit dhe që ka kaluar të gjitha nismat e mira e të këqija për këto tre vite, më nuk është bashkë dhe kemi një qeveri e cila është gjysmë qeveri”, tha zoti Gashi.

Nëse mocioni siguron 61 vota në Parlamentin 120 vendesh të Kosovës atëherë merr fund qeveria e pakicës nga e cila u tërhoq Lidhja Demokratike e Kosovës. Në këtë rast është në duart e kryetarit të Parlamentit Jakup Krasniqi, që njëherësh është edhe ushtrues i detyrës së presidentit që të vendosë për zhvillimet e mëtejshme.

“Nëse seanca e ardhshme voton për mocionin e mosbesimit për qeverinë, atëherë dihen procedurat e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha zoti Krasniqi.

Ndërkaq mocioni është parë me dyshim nga përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të cilët janë shprehur të pakënaqur me tekstin e tij dhe kanë kërkuar vërtetimin e disa nënshkrimeve të hedhura në të. Por nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini tha se pakënaqësitë nuk e ndryshojnë qasjen e kësaj partie ndaj qeverisë aktuale.

“Aleanca për asnjë minutë nuk do të bëjë asnjë veprim që do ta mbajë këtë qeveri më gjatë në pushtet”, tha zoti Gjini.

Dorëheqja e ish presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu kushtëzoi shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme tashmë të caktuara për 13 shkurtin e vitit të ardhshëm, ndërsa tërheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës duket se përfundimisht po e çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme që mund të mbahen brenda këtij viti.

XS
SM
MD
LG