Lidhje

Policia dhe forcat e Natos ndërhyjnë për të shmangur përleshje etnike në Mitrovicë


Policia dhe forcat e Natos ndërhyjnë për të shmangur përleshje etnike në Mitrovicë

Policia dhe forcat e Natos ndërhyjnë për të shmangur përleshje etnike në Mitrovicë

Forca të mëdha të policisë dhe të NATO-s ndërhynë sot për të parandaluar përplasjet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Tensionet u ngritën sot gjatë protestave të shqiptarëve në pjesën jugore të qytetit të cilët kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veriun e Mitrovicës, të cilat janë organizuar nga Beogradi.

Tensionet ishin shumë të larta në mesditë në urën qendrore që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit, kur grupet e protestuesve të të dyja palëve u gjetën ballë për ballë. Policia përdori një sasi të vogël të gazit lotsjellës për të penguar përplasjen ndërmjet protestuese. Nga pjesa veriore u hodhën flakadanë, gurë dhe një gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit në jug u përgjigjen me gurë.

Në një çast në pjesën veriore u dëgjuan edhe të shtëna nga armë automatike. Zëdhënësi i policisë së Kosovës në Mitrovicë Besim Hoti tha se gjendja u vu nën kontroll me veprimet e bashkërenduara të policisë, KFOR-it dhe pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Protestat e sotme në pjesën jugore të Mitrovicës nën organizimin e veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të mbështetura nga lëvizja Vetëvendosje dhe një grup organizatash të tjera kishin për qëllim kundërshtimin e zgjedhjeve lokale serbe në veri të qytetit të Mitrovicës. Muharrem Xhemaili, kryetar i Organizatës së Veteranëve të luftës tha se protesta është në funksion të mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës.

Në veri ndërkaq janë zhvilluar zgjedhjet për pushtetin lokal të organizuara nga Beogradi, në të cilat konkurrojnë 13 parti politike dhe nisma qytetare. Zgjedhjet të cilat kanë sfiduar sërish autoritetin e Prishtinës janë vlerësuar të paligjshme dhe të pavlefshme nga institucionet vendase e ndërkombëtare të cilat pohojnë se janë vënë në përgatitje të zgjedhjeve të ligjshme edhe në veriun e Mitrovicës.

Autoritetet thonë se kjo pjesë e banuar me shumicë serbe që është edhe skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës, do të integrohet nëpërmjet zbatimit të një strategjie të veçantë që nënkupton edhe mënjanimin e strukturave paralele të mbështetura nga Beogradi. Por, analistët thonë se zgjedhjet e sotme në veri, shënojnë fundin e kësaj strategjie.

XS
SM
MD
LG