Lidhje

Kosovë: Debate rreth protestës së lëvizjes Vetëvendosje

  • Leonat Shehu
  • Zëri Amerikës

Kosovë: Debate rreth protestës së lëvizjes Vetëvendosje

Kosovë: Debate rreth protestës së lëvizjes Vetëvendosje

Udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje thanë sot se janë të vendosur që nesër të bllokojnë dy vendkalimet kufitare me Serbinë, në funksion të siç thuhet zbatimit të masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë, me gjithë thirrjet e autoritete vendase e ndërkombëtare që të heqin dorë nga këto plane. Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë kanë shprehur shqetësimin ne tyre për planet e Vetëvendosjes, duke i bërë thirrje asaj që të përmbahet nga çfarëdo akti dhune ose provokimi ndaj policisë së Kosovës.

Në një komunikatë për opinion thuhet se veprimet e tilla jo vetëm që do të jenë joligjore, por po ashtu do të rrisnin tensionet politike në Kosovë dhe do të ndikonin negativisht në imazhin e saj jashtë vendit. Duke tërhequr vërejtjen se Vetëvendosje do të jetë përgjegjëse për pasojat e veprimeve të saja, ata theksojnë se asnjë parti politike nuk gëzon pushtetin jashtëligjor për të marrë ligjin në duart e veta e as për të zbatuar njëanshëm interpretimin e vetë të akteve ligjore.

Shqetësimin e saj e ka shprehur edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, sipas së cilës përcaktimi i “Vetëvendosjes” për të dalë në rrugë, nuk është shterje e mundësive të veprimit brenda institucioneve. Duke kundërshtuar veprimet që pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, presidentja Jahjaga ka nënvizuar në një komunikatë për opinion se Kosova ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Gentilini, tha se aksioni i nesërm nuk do të jetë i dobishëm për të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ndihmoj në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë. Tregu i përbashkët, duke përfshirë lirinë e lëvizjes për njerëzit dhe mallrat, si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë ndër vlerat thelbësore evropiane, dhe shumë të rëndësishme për çdo kandidat potencial për Bashkimin Evropian.

Kryetari lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha sot se protesta e nesërme nuk do të bllokojë lëvizjen e qytetarëve.

“Protesta jonë e nesërme është protestë paqësore e cila nuk do të pengoj qarkullimin e lirë të qytetarëve, nuk do t'i bllokojë qytetarët por do të bllokojë hyrjen e Serbisë në Kosovë. Reciprociteti është vlerë e Bashkimit Evropian, shtetet në Bashkimin Evropian e njohin njëra tjetrën dhe janë në marrëdhënie reciproke. Nuk ka asnjë shembull në botë ku dy shtete nuk kanë marrëveshje të paqes dhe që nuk e njohin njëra tjetrën megjithatë kanë marrëveshje të tregtisë të lirë siç është rasti me Kosovën e Serbinë”, tha ai.

Zoti Kurti tha po ashtu se protesta nuk ka të bëjë me qytetarët serb as të Kosovës dhe as të Serbisë.

“Kjo protestë paqësore nuk është kundër serbëve, as kundër serbëve në përgjithësi, e as kundër serbëve të Kosovës në veçanti, përkundrazi ne serbët e Kosovës i konsiderojmë qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës dhe protesta jonë paqësore është e drejtuar kundër Serbisë e cila prej Kushtetutës së saj ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë e deri te deklaratat e qëndrimet dhe sjellja e nëpunësit apo zyrtarit më të ultë shtetërorë ka qëndrime kundër pavarësisë së Kosovës dhe plane anti-shqiptare” tha zoti Kurti.

Vetëvendosje kritikon qeverinë që sipas tij nuk po zbaton vendimin e Parlamentit të Kosovës për vendosjen e masave të ndërsjella me Serbinë. Plani i lëvizjes vetëvendosje që është mbështetur nga disa organizata jopolitike, nuk është përkrahur nga partitë në opozitë të cilat kërkojnë zgjidhjen e çështjeve në rrugë institucionale. Debatet rreth kësaj çështjeje kanë nxitur shqetësimet e një pjese të skenës politike për mundësinë e shkallëzimit të situatës. Udhëheqësit e lëvizjes Vetëvendosje thanë se disa qindra veprimtarë të saj do të jenë të angazhuar në sigurimin e mbarëvajtjes së protestës.

XS
SM
MD
LG